Nga Abdulla Diku
____
Në foto shihet një zjarrfikës që po i ven flakën pyllit. Nga ana tjetër të fikësh zjarrin me zjarr, tingëllon si paradoks: të përdorësh zjarrin për të mbrojtur pyllin nga zjarri.
Në zjarret pyjore me intensitet të lartë vjen një moment kur sulmi i drejtpërdrejtë ndaj zjarrit mund të bëhet jo vetëm joefektiv, por edhe tepër i rrezikshëm. Flakët janë të larta, rrezatimi termik është ekstrem, shpejtësia e përhapjes rritet dhe afrimi i ekipeve pranë frontit bëhet i pamundur.
Në situata të tilla, një nga teknikat profesionale të menaxhimit të zjarreve është përdorimi taktik i vetë zjarrit (specialistet e pyjeve e quajnë kundërzjarr).
Në praktikën ndërkombëtare përdoren koncepte dhe aktivitete të tilla. Edhe në Shqipëri është përdoru nga soecialistë pyjesh me përvojë, por jo sot.
Parimi është që, nga një linjë e sigurt kontrolli (rrugë auto, transhe, përrua etj), ekipet e specializuara ndezin në mënyrë të kontrolluar vegjetacionin që ndodhet ndërmjet kësaj vije dhe frontit të zjarrit kryesor.
Kështu krijohet një brez ku lënda djegëse konsumohet përpara mbërritjes së zjarrit të madh dhe intensiv.
Kur zjarri intensiv arrin në këtë zonë, ai gjen fare pak material (karburant) për të vazhduar përhapjen. Intensiteti mund të bjerë ndjeshëm dhe, në kushtet e duhura, avancimi i tij mund të ndalet.
Pra, në kuptimin figurativ, zjarri përplaset me zjarrin. Teknikisht ndodh diçka tjetër: zjarrit kryesor i hiqet karburanti përpara se ai të mbërrijë tek zona që dogjëm vetë.
Kjo taktikë mund të jetë vendimtare kur duhet të mbrohen pyje me vlerë të lartë, habitate të rëndësishme, zona të mbrojtura, vendbanime apo infrastrukturë dhe kur sulmi i drejtpërdrejtë ndaj frontit të zjarrit nuk është më i mundur.
Por përdorimi i kundërzjarrit është një operacion me rrezik të lartë dhe kërkon njohje shumë të mirë të sjelljes së zjarrit.
Drejtimi dhe shpejtësia e erës, topografia, lloji dhe lagështia e materialit djegës, stabiliteti atmosferik, intensiteti dhe drejtimi i frontit kryesor duhet të analizohen vazhdimisht. Një ndryshim i papritur i erës mund ta ndryshojë krejtësisht situatën.
Për këtë arsye, kundërzjarri nuk është teknikë për vullnetarë apo persona pa trajnim specifik. Ai duhet të vendoset dhe zbatohet vetëm nga drejtues dhe ekipe të kualifikuara, me linja kontrolli, komunikim, rrugë të sigurta të tërheqjes dhe kapacitete të mjaftueshme për ndërhyrje.
Dhe këtu del në pah një mangësi tjetër e menaxhimit të zjarreve pyjore: nuk mjaftojnë vetëm njerëzit, makinat zjarrfikëse apo mjetet ajrore.
Na duhen specialistë me njohuri specifike të sjelljes së zjarrit në pyje, drejtues operacionesh të trajnuar për zjarret pyjore dhe ekipe të afta për të përdorur taktika indirekte, kur sulmi frontal nuk është më i mundur.
Përballë një zjarri ekstrem, pyetja profesionale nuk është gjithmonë:
“Si të futemi te flaka?”
Por:
“Ku mund ta presim zjarrin dhe si t’ia heqim karburantin përpara se të arrijë atje?”
Në zjarret intensive, ndonjëherë zjarri nuk mposhtet duke e sulmuar drejtpërdrejt. Mposhtet duke i hequr atë që e ushqen atë: karburantin.
Ndaj, kundërzjarri është një masë shumë efektive.
Në foto është një zjarrfikës i cili ka zgjedhur një rrugë si pikënisje të sigurt për kundërzjarrin.
