Këshilli Këshillimor Shkencor i Akademive Evropiane (EASAC) dhe Federata e Akademive Evropiane të Mjekësisë (FEAM) publikuan sot një raport të përbashkët me titull “Inteligjenca Artificiale në kujdesin shëndetësor evropian: rekomandime politikash për optimizimin e vlerës së shtuar dhe për një zbatim të sigurt, etik dhe gjithëpërfshirës”.
Raporti synon të kontribuojë në zbatimin e Aktit të BE-së për Inteligjencën Artificiale dhe Hapësirës Evropiane të të Dhënave Shëndetësore, si dhe në dosjet përkatëse legjislative ende në shqyrtim dhe në nismën e ardhshme të BE-së për Inteligjencën Artificiale në kujdesin shëndetësor. Ai është hartuar nga një grup pune prej 22 shkencëtarësh nga vende të ndryshme të Evropës, të propozuar nga akademitë kombëtare anëtare të EASAC dhe FEAM.
Zhvillimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale mund të vërë nën presion shoqëritë dhe organet rregullatore. Paralajmërimet e studiuesve kryesorë të kësaj fushe për një humbje të mundshme të kontrollit tregojnë se sa e vështirë është të parashikohen dhe të menaxhohen rreziqet. Në sektorin e kujdesit shëndetësor, pasojat e mundshme janë veçanërisht të rëndësishme.
“Inteligjenca Artificiale po hyn në praktikën klinike dhe administrative më shpejt sesa shumë sisteme shëndetësore janë në gjendje ta vlerësojnë, rregullojnë dhe monitorojnë në mënyrë të pavarur. U takon politikëbërësve të krijojnë parakushtet rregullatore për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në mënyrë që ajo të jetë e orientuar drejt pacientit, efektive, e sigurt, e drejtë dhe transparente”, thotë Prof. André Knottnerus, bashkëkryetar i grupit të punës nga EASAC.
Sistemet e Inteligjencës Artificiale po përdoren tashmë në shumë fusha të kujdesit shëndetësor dhe kanë potencialin të krijojnë vlerë të konsiderueshme të shtuar, veçanërisht në kujdesin klinik dhe shëndetin publik. Megjithatë, në mungesë të rregullave të qarta, ekziston rreziku i cenimit të të dhënave, paragjykimeve algoritmike dhe humbjes së kontrollit njerëzor.
Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale dhe Hapësira Evropiane e të Dhënave Shëndetësore përbëjnë një bazë të rëndësishme, por shkencëtarët evidentojnë boshllëqe në zbatimin e tyre praktik në sektorin e shëndetësisë. Për këtë arsye, EASAC dhe FEAM bëjnë thirrje që Inteligjenca Artificiale të trajtohet si çdo ndërhyrje tjetër në kujdesin shëndetësor: përfitimet e saj duhet të provohen, rreziqet të kuptohen dhe performanca të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
“Na duhen kritere të qarta për të dëshmuar përfitimet reale klinike në popullata dhe mjedise të ndryshme, si dhe për të garantuar përdorimin e të dhënave përfaqësuese dhe me cilësi të lartë”, thotë Prof. Luis Martí-Bonmatí, bashkëkryetar i grupit të punës nga FEAM. “Pacientët gjithashtu duhet të marrin shpjegime të kuptueshme dhe të kenë mundësi efektive për të kërkuar korrigjim ose dëmshpërblim; përgjegjësia ligjore duhet të jetë e qartë dhe sistemet shëndetësore duhet të shmangin varësinë nga ofrues individualë të teknologjisë.”
Ndër mesazhet kryesore të raportit është nevoja për rregullim proaktiv. Akti i BE-së për Inteligjencën Artificiale i klasifikon disa përdorime të AI-së në sektorin e shëndetësisë si me rrezik të lartë. Për këtë arsye, përdorimi i tyre kërkon rregulla që marrin parasysh edhe pasojat afatgjata. Dispozitat e Aktit për Inteligjencën Artificiale duhet të harmonizohen me kuadret ekzistuese rregullatore, si Rregullorja për Pajisjet Mjekësore, Rregullorja e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) dhe Hapësira Evropiane e të Dhënave Shëndetësore.
Raporti thekson gjithashtu se barazia dhe besimi duhet të jenë përparësi. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale mund të thellojë pabarazitë ekzistuese, përfshirë ato që lidhen me gjininë, përkatësinë etnike dhe statusin socio-ekonomik, si dhe dallimet mes vendeve të pasura dhe atyre me më pak burime, duke rrezikuar njëkohësisht të cenojë besimin e publikut. Për këtë arsye kërkohen politika të BE-së që i japin përparësi aksesit të barabartë, transparencës, përfshirë edhe gjurmën mjedisore të Inteligjencës Artificiale – dhe përfshirjes së publikut. Vetëm në këtë mënyrë Inteligjenca Artificiale mund të kontribuojë në arritjen e objektivave të kujdesit shëndetësor universal dhe të jetë në përputhje me vlerat demokratike.
Një tjetër element i rëndësishëm është koordinimi në nivel të BE-së. Fragmentimi i rregullave pengon sigurinë dhe zbatimin në shkallë të gjerë të Inteligjencës Artificiale. BE-ja duhet të harmonizojë standardet, të lehtësojë shkëmbimin ndërkufitar të të dhënave të anonimizuara dhe të nxisë mbikëqyrjen e përbashkët, për të garantuar përdorime etike dhe të besueshme të Inteligjencës Artificiale në të gjitha shtetet anëtare.
Autorët rekomandojnë gjithashtu që sistemet e Inteligjencës Artificiale të testohen në mjedise rregullatore eksperimentale dhe të kontrolluara përpara se të zbatohen në një shkallë më të gjerë. Po ashtu, investimet duhet të orientohen drejt kërkimit mbi metoda që mund të japin rezultate të besueshme duke përdorur grupe më të vogla të dhënash, por të përzgjedhura me kujdes.
“Tani është koha për të vepruar, nëse duam t’ia besojmë shëndetin tonë Inteligjencës Artificiale”, thekson Knottnerus. “Me këto rekomandime synojmë t’i ndihmojmë politikëbërësit që ta çojnë inovacionin përpara në mënyrë të sigurt.”/ad
