Last Updated on 30/09/2026 by EL
Zgjerim i subjekteve që mund të zotërojnë leje minerare, lehtësim i disa procedurave administrative dhe vendosja e një afati për rehabilitimin e zonave të shfrytëzuara”. Gjithçka parashikohet në pr.ligjin “Për sektorin minerar”, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Një nga ndryshimet kryesore është hapja e veprimtarisë minerare edhe për personat fizikë. Sipas relacionit shoqërues, aktualisht ligji ua njeh të drejtat minerare vetëm personave juridikë, vendas apo të huaj. Me propozimin e ri, edhe personat fizikë do të mund të përfitojnë këto të drejta, nëse plotësojnë kriteret teknike, financiare dhe mjedisore të parashikuara nga legjislacioni.
Ndërkohë, garancitë financiare për veprimtarinë minerare do të mund të sigurohen edhe përmes bankave të huaja. Projektligji propozon heqjen e kufizimit që këto garanci të lidhen vetëm me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas ministrisë, të dyja ndërhyrjet synojnë përafrimin me direktivën e Bashkimit Evropian për shërbimet në tregun e brendshëm dhe eliminimin e pengesave të panevojshme për operatorët.
Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me detyrimet për rehabilitimin e mjedisit. Projektligji parashikon që rehabilitimi i sipërfaqes së shfrytëzuar minerare të përfundojë brenda një afati maksimal prej 12 muajsh nga përfundimi i vlefshmërisë së lejes minerare ose nga data e vendimit për revokimin e saj. Nëse zotëruesi i lejes braktis zonën ose nuk përfundon zbatimin e plotë të planit të rehabilitimit brenda afatit, vlera e plotë e garancisë së rehabilitimit do të kalojë në favor të shtetit dhe do përdoret për të njëjtin qëllim.
Gjithashtu, për zotëruesit e lejeve të kërkim-zbulimit propozohet kalimi nga raportimi çdo tre muaj në raportim çdo gjashtë muaj kalendarikë. Ministria e argumenton këtë ndërhyrje me uljen e barrës administrative dhe harmonizimin me periodicitetin e raportimit të lejeve të shfrytëzimit. Gjithashtu, kushtet për dhënien e lejeve të shfrytëzimit të minierave sipërfaqësore për qëllime publike vendore ose kombëtare propozohet të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas relacionit shoqërues, ndryshimet nuk parashikohen të kenë efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit./et
