Konsumimi i përditshëm i boronicave mund të ndikojë në bakteret e zorrëve dhe, potencialisht, në gjendjen tonë emocionale. Një studim i ri sugjeron se lidhja mes ushqyerjes, shëndetit të zorrëve dhe humorit mund të jetë më e ngushtë nga sa mendohet.
Të shtuara në kos, tërshërë apo të konsumuara më vete, boronicat janë një frut i pasur me fibra dhe antioksidantë. Por përveç vlerave ushqyese, a mund të ndikojnë ato edhe në mënyrën se si ndihemi?
Një studim nga Instituti i Kërkimeve për Plakjen Hinda and Arthur Marcus ka shqyrtuar pikërisht këtë mundësi, duke analizuar ndikimin e konsumimit të përditshëm të boronicave në bakteret e zorrëve dhe në humor.
Rezultatet, të publikuara në revistën shkencore Journal of Nutrition, Health and Aging, treguan se pjesëmarrësit që konsumuan boronica patën një përmirësim më të qëndrueshëm të humorit. Megjithatë, diferenca mes tyre dhe grupit të kontrollit nuk ishte statistikisht domethënëse. Kjo do të thotë se rezultatet janë paraprake dhe nuk mjaftojnë për të vërtetuar se boronicat përmirësojnë humorin.
Pse u përzgjodhën boronicat?
Boronicat përmbajnë fibra dhe antocianina, pigmente natyrore që u japin ngjyrën blu-vjollcë. Këta përbërës janë me interes për studiuesit, pasi mund të ndikojnë në mikrobiomën e zorrëve, pra në bashkësinë e mikroorganizmave që jetojnë në sistemin tretës.
Në studim morën pjesë persona të moshës 65 vjeç e lart, të cilët bënin një jetë sedentare dhe shfaqnin simptoma të lehta të humorit të ulët.
Pjesëmarrësit u ndanë rastësisht në dy grupe. Njëri konsumoi boronica, ndërsa tjetri mori një placebo, një preparat që nuk përmbante përbërësin aktiv të studiuar.
Studimi zgjati tre muaj dhe u përfundua nga 18 persona: 10 në grupin që konsumoi boronica dhe 8 në grupin e kontrollit.
Për të vlerësuar rezultatet, studiuesit përdorën pyetësorë para dhe pas periudhës së ndërhyrjes, si dhe analizuan mikrobiomën e zorrëve. Në grupin që konsumoi boronica u vu re një ulje më e madhe dhe më e qëndrueshme e simptomave të humorit të ulët.
Çfarë zbuluan studiuesit në zorrë?
Analizat treguan se përbërja e përgjithshme e mikrobiomës nuk pësoi ndryshime të mëdha. Po ashtu, nuk u konstatua një përmirësim i qartë i gjendjes psikologjike në krahasim me grupin e kontrollit.
Megjithatë, studiuesit vunë re ndryshime në aktivitetin e disa gjeneve dhe enzimave të lidhura me funksionimin e zorrëve. Një prej gjetjeve ishte rritja e aktivitetit të gjeneve që lidhen me prodhimin e GABA-s, një neurotransmetues që ndihmon në rregullimin e aktivitetit të sistemit nervor.
Ky rezultat është me interes, sepse sugjeron se boronicat mund të ndikojnë në proceset biologjike që ndodhin në zorrë, edhe kur përbërja e përgjithshme e mikrobiomës mbetet pothuajse e pandryshuar.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se u vërtetua një lidhje e drejtpërdrejtë mes këtyre ndryshimeve dhe përmirësimit të humorit.
A mund të na përmirësojnë boronicat humorin?
Studimi sjell të dhëna paraprake për një lidhje të mundshme mes ushqyerjes, funksionimit të zorrëve dhe shëndetit mendor. Por numri i vogël i pjesëmarrësve dhe mungesa e një ndryshimi statistikisht domethënës mes dy grupeve nuk lejojnë nxjerrjen e përfundimeve të sigurta.
Për të kuptuar nëse konsumimi i boronicave mund të ndikojë realisht në humor, nevojiten studime më të mëdha dhe me më shumë pjesëmarrës.
Deri atëherë, boronicat mbeten një zgjedhje e mirë për një dietë të ekuilibruar, falë fibrave dhe përbërësve të tyre antioksidues. Ndikimi i tyre i mundshëm në humor është një pistë interesante kërkimore, por ende jo një përfitim i provuar shkencërisht./ad
