Policia e Kosovës ka gjetur armë, municione dhe mjete të tjera të rrezikshme gjatë kontrollit në shtëpinë e Albert Sylajt, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë. Sipas raportit 24-orësh të policisë, kontrolli në shtëpinë e të dyshuarit është kryer të dielën mbrëma, më 25 tetor, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë, disa pajisje të armës, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë.
“Rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Albert Sylaj dyshohet se mbrëmjen e së dielës vrau me sëpatë ish-kunatën e tij, Arlinda Zekajn, vetëm pak minuta pasi ajo ishte kthyer nga stacioni policor. I dyshuari vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet e Kosovës, të cilat kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë bëhet me dije se Prokuroria e Pejës ka kërkuar paraburgim për Jeton Sylajn, ish-bashkëshortin e viktimës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë të Komunës së Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur urdhrit të Gjykatës Themelore në Pejë, të nxjerrë më 16 tetor 2026.
Vendimi i gjykatës e ndalonte atë të ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj viktimës, t’i pengonte lëvizjen, si dhe ta ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, Jeton Sylaj dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tashmë të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Po ashtu, ai dyshohet se ka marrë rrobat që viktima kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jeton Sylajt pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë./k.m
