Last Updated on 20/04/2026 by Anisa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas përfundimit të takimit me kreun e LDK, Lumir Abdixhiku. Në këtë takim nuk pati asnjë marrëveshje në lidhje me kandidaturën e presidentit.
Kurti në deklaratën e tij tregoi detaje nga biseda dhe mosmarrëveshjet me Abdixhikun. Ai tha se Abdixhikut i dha ofertën e bashkëqeverisjes ose kryesimin e legjislativit, për të marrë kryetarin dhe nënkryetarin e parë të kuvendit.
“Sapo e përfundova takimin me Abdixhikun, të cilin e falënderoj! Mirëpo, më duhet të konstatoj se bisedimet ishin të pasuksesshme, për shkak se asnjëra nga ofertat nuk u pranua nga ai. Fillimisht ne ofruam që LDK të jetë në bashkëqeverisje me ne, ta ketë zv.kryeministër, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera.
Kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet Abdixhiku dhe të fillojmë kapitull të ri të bashkëpunimi. Ia ofrova edhe kryetarin dhe nënkryetarin e Kuvendit. Por përveç kësaj, LDK do ta kryesonte edhe legjislativin, ndërkohë që për Glaukun nuk kërkuan votë, por vetëm votim “pro, kundër, ose abstenim”. As kjo nuk u pranua, ishte një mundësi.
Tani nuk kemi se çfarë ofertash tjera të bëjmë, as u kërkua diçka tjetër prej nesh. Ju e dëgjuat deklarimin e Konjufcës, i cili ka thënë se unë tërhiqem nëse ka kandidat konsensual. Ne nuk e kemi pasur me patjetër atë.
Vetëvendosja ka mazhorancë me 66 deputetë, jemi të vetmit që kemi sjellë emra. E kemi pasur emrin e Andin Hotit. Në takimet që kam pasur edhe me Hamzën dhe Abdixhikun, vetëm unë kam folur me emra të përveçëm. Ata nuk po flasin me emra të përveçëm.
Nëse nuk ndodh diçka ditëve të mbetura, më mbetet të konstatoj që ka më shumë interesim për zgjedhje të reja sesa prezantohen në publik. VV-së i intereson të ketë mbarëvajtje të punëve, ju e dini që ngelem kryeministër në detyrë, por vendi mbetet pa parlament”, u shpreh Kurti.
