Last Updated on 01/08/2025 by adminfjala
Mbrojtësi maroken i Paris Saint-Germain, Achraf Hakimi, i konfirmuar së fundmi si kandidat për çmimin prestigjioz “Topi i Artë”, mund të përballet me një kthesë dramatike në karrierën e tij. Sipas të përditshmes franceze Le Parisien, prokuroria e Nanterre ka dorëzuar më 1 gusht një aktakuzë përfundimtare, duke kërkuar që lojtari të referohet për gjykim penal nën akuzën për përdhunim.
Nëse gjykatësi hetues mbështet këtë kërkesë, Hakimi do të përballet me drejtësinë në gjykatën penale të Hauts-de-Seine, me një rrezik të mundshëm dënimi deri në 15 vite burg.
Ngjarja daton nga shkurti i vitit 2023, kur një 24-vjeçare pretendon se është abuzuar seksualisht nga futbollisti pas një takimi në shtëpinë e tij në Boulogne-Billancourt, të organizuar pas më shumë se një muaji komunikimi përmes Instagram-it. Sipas dëshmisë së saj, situata ka dalë jashtë kontrollit, me Hakimin që dyshohet se e ka detyruar të angazhohej në një akt seksual pa pëlqimin e saj. Ajo arriti të largohej dhe më vonë u paraqit në polici, ndonëse nuk bëri një kallëzim zyrtar atë ditë.
Hetimet nisën menjëherë dhe lojtari u padit në mars 2023. Prej asaj kohe, versionet e dy palëve kanë qenë tërësisht të kundërta.
Hakimi ka mohuar gjithmonë akuzat, duke i cilësuar ato si “tentativë shantazhi”. Avokatja e tij, Fanny Colin, e quajti vendimin e fundit të prokurorisë “të pakuptueshëm dhe të pakuptimtë”, duke theksuar se analizat psikologjike të paditëses sipas saj “tregonin për gënjeshtra”.
Ajo deklaroi se lojtari mbetet “i qetë” dhe është i gatshëm të ndjekë çdo mjet ligjor për të mbrojtur veten.
Ndërkohë, përfaqësuesja ligjore e ankueses, Rachel-Flore Pardo, e cilësoi kërkesën e prokurorisë si një moment “lehtësimi të madh” për klienten e saj.
Ndërkohë që Hakimi po shijon pushimet verore në shoqërinë e mikut të tij, Kylian Mbappé, ky zhvillim ligjor mund të përbëjë një kthesë të madhe në jetën personale dhe profesionale të mbrojtësit. Vendimi përfundimtar i gjyqtarit hetues pritet të përcaktojë nëse çështja do të kalojë në një proces gjyqësor penal. m.p.
