Një video shumë e shkurtër e fytyrës mund të jetë një ditë e mjaftueshme për të identifikuar persona që mund të kenë diabet ose hipertension. Ky është potenciali i një algoritmi të ri të inteligjencës artificiale, i zhvilluar nga studiues japonezë dhe i prezantuar në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC) në Mynih.
Në studimin “AI-powered cardiometabolic assessment from a single facial video”, algoritmi arriti të identifikojë diabetin me një saktësi prej 81.2% pas vetëm 5 sekondash regjistrim të fytyrës. Me një regjistrim 30-sekondësh, saktësia u rrit në 88.2%.
Për hipertensionin, rezultatet ishin edhe më të larta. Analiza e një regjistrimi 30-sekondësh të fytyrës dhe pëllëmbës së dorës arriti një saktësi prej 95%, ndërsa edhe me vetëm 5 sekonda video saktësia mbeti në 90.3%.
Çfarë “sheh” inteligjenca artificiale?
Teknologjia nuk kërkon thjesht pamjen e jashtme të fytyrës. Studiuesit përdorën një kamerë spektroskopike me shpejtësi të lartë, e cila regjistron të dhëna që lidhen me qarkullimin e gjakut dhe karakteristikat e lëkurës.
Algoritmi analizon modele të fluksit të gjakut në lëkurë, karakteristikat spektrale të ngjyrës së saj dhe tregues që lidhen me pulsin dhe ngurtësinë e arterieve. Këto të dhëna më pas përpunohen nga modeli i machine learning për të vlerësuar praninë e faktorëve të lidhur me hipertensionin dhe diabetin.
Studimi përfshiu 215 persona, mes pacientëve me diagnoza të njohura dhe vullnetarëve të shëndetshëm. Të gjithë iu nënshtruan regjistrimeve të shkurtra të fytyrës dhe pëllëmbëve, ndërsa rezultatet e algoritmit u krahasuan me vlerësimet tradicionale mjekësore.
Një nga rezultatet më interesante është se sistemi mund të vlerësojë edhe presionin e gjakut pa përdorur manshetën tradicionale. Megjithatë, pikërisht këtu studiuesit vendosin një kufi të rëndësishëm: variacioni i gabimit te matjet individuale është ende shumë i madh për përdorim klinik. Për këtë arsye, teknologjia nuk është gati të zëvendësojë matësit e presionit apo analizat mjekësore.
Pse mund të jetë e rëndësishme?
Hipertensioni dhe diabeti janë ndër faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, por një pjesë e madhe e njerëzve nuk e dinë se i kanë.
Sipas ESC, rreth 1.4 miliardë të rritur të moshës 30–79 vjeç jetojnë me hipertension në botë, ndërsa rreth 589 milionë persona kanë diabet. Pikërisht numri i madh i rasteve të padiagnostikuara e bën interesant idenë e një sistemi që mund të kryejë depistim të shpejtë dhe pa kontakt.
Studiuesja Ryoko Uchida, e cila prezantoi kërkimin, thotë se synimi është zhvillimi i një metode “contactless”, pra një kontrolli që mund të realizohet jo vetëm në spitale apo klinika, por edhe në mjedise të zakonshme të përditshme.
Në teori, kjo mund të hapë rrugën për kontrolle shumë më të shpeshta dhe për identifikimin e personave që duhet të kryejnë më pas analiza dhe ekzaminime mjekësore.
Por teknologjia ka ende rrugë për të bërë
Rezultatet janë premtuese, por studimi është ende në një fazë të hershme. Bëhet fjalë për një studim të vetëm me 215 pjesëmarrës dhe studiuesit theksojnë nevojën për testime në grupe shumë më të mëdha dhe më të larmishme.
Vetë ESC sqaron se algoritmi duhet të validohet më tej përpara se të mund të përdoret në praktikën reale. Qëllimi nuk është që një video të zëvendësojë mjekun, analizat e gjakut apo matjen tradicionale të presionit të gjakut, por që inteligjenca artificiale të shërbejë si një mjet i shpejtë depistimi për të identifikuar personat që mund të kenë nevojë për kontroll të mëtejshëm.
Nëse rezultatet konfirmohen në studime më të mëdha, një teknologji e tillë mund ta zhvendosë një pjesë të depistimit mjekësor nga klinika drejt mjediseve të përditshme, duke e bërë kontrollin fillestar më të shpejtë dhe më të aksesueshëm./ad
