Pastrimi i bregdetit në Velipojë ka vijuar për të tretën ditë radhazi. 65 punonjës në terren u angazhuan në aksionin që po realizohet përmes një bashkëpunim institucional të Bashkisë Shkodër, Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Objekteve Publike dhe Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit.
“Ka tre ditë që po punojmë për pastrimin e mbetjeve që ka nxjerrë deti, është e treta herë që uji sjell mbetje të tilla. Sot kemi angazhuar rreth 65 punonjës me tre mjete dhe dy kamiona.
Do vijojmë deri në pastrimin e plotë të vijes bregdetare. Apeli i drejtohet qytetarëve e veçanërisht bizneseve që të mos hedhin mbeturina vend e pa vend por në kontenierë sepse çdo mbetje e hedhur kthehet sërish mbrapsht”, ka thënë Altin Salihi, Drejtor në Ndërmarrjen e Shërbimeve dhe Punëve Publike.
Pas pastrimit të saj, Velipoja pritet të jetë gati përgjatë fundjavës për të pritur vizitorët e parë ditor të këtij viti./Kb
