Aktori dhe komediani britanik Russell Brand u paraqit në një gjykatë në Londër dhe mohoi akuzat për dy raste të reja përdhunimi dhe ngacmimi seksual që pretendohet se ndodhën pothuajse dy dekada më parë.
Brand, dikur një nga emrat më të njohur të transmetimeve britanike dhe ish-bashkëshort i këngëtares amerikane Katy Perry, u paraqit në Southwark Crown Court dhe mohoi akuzat për përdhunimin e një gruaje dhe ngacmimin seksual të një tjetër gruaje në vitin 2009.
Ai u akuzua vitin e kaluar për dy raste përdhunimi, një rast ngacmimi të papërshtatshëm dhe dy akuza të tjera për ngacmim seksual ndaj katër grave mes viteve 1999 dhe 2005.
Brand kishte mohuar më parë në maj të vitit të kaluar pesë akuzat e para dhe pritet të përballet me gjyq në qershor. Një seancë do të mbahet muajin e ardhshëm për të vendosur nëse akuzat e reja do t’i bashkohen këtij procesi, ndërsa avokati i tij tha se klienti kishte nevojë për më shumë kohë për të adresuar akuzat e fundit.
Brand, 50 vjeç, arriti në gjykatë me një kapele të bardhë cowboy dhe syze dielli. Kur u pyet se si ndjehej, Brand, i cili deklaroi në 2024 se ishte bërë i krishterë, u përgjigj se ndihej “i bekuar”.
Në vitet 2000, Brand ishte i pranishëm rregullisht në ekranet britanike, i njohur për stilin dhe pamjen e tij flamburdoze, dhe gjithashtu punoi si prezantues radiofonik për BBC.
Ai gjithashtu ka luajtur në disa filma, përfshirë Get Him to the Greek në 2010, të njëjtin vit kur u martua me Perry. Ata u divorcuan në 2012 pas 14 muajsh martesë.
Nga fillimi i viteve 2020, Brand është larguar nga kultura kryesore dhe prej atëherë shfaqet kryesisht online, duke dhënë opinione mbi politikën amerikane dhe lirinë e fjalës./mxh
