Aktori me origjinë shqiptare, Kostas Nikouli, prej vitesh është një emër i njohur në skenën artistike greke. Ai u bë i njohur që në fillimet e karrierës me rolin protagonist në filmin “Xenia” të regjisorit Panos H. Koutras, një interpretim që i siguroi çmimin për Debutimin më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Athinë.
Me rrënjë nga Saranda, Nikouli nuk e ka fshehur kurrë prejardhjen e tij. Në një intervistë ai tregoi se, ndonëse ka lindur në Athinë, ka marrë shtetësinë e prindërve të tij, një situatë që i ka sjellë vështirësi gjatë viteve të shkollës. Megjithatë, ai theksoi se gjithmonë e ka pranuar dhe shprehur hapur identitetin e tij.
Sipas tij, konfliktet mes fëmijëve në moshë të vogël janë të zakonshme dhe nuk e ka fshehur prejardhjen as kur është bullizuar.
Ai kujtoi se shpesh fliste me krenari për verat që kalonte në Shqipëri dhe për miqtë që kishte atje:
“Kam lindur në Athinë, por në Greqi ende nuk ekziston ai rregull që një fëmijë fiton automatikisht shtetësinë e vendit ku lind. Unë mora shtetësinë e prindërve të mi dhe çdo gjashtë muaj duhej të rinovonim vizat. Të them të drejtën, fëmijët zihen për shumë arsye. Edhe ne kishim përplasje në shkollë për gjëra të ndryshme. Por unë nuk u fsheha kurrë. Mund të thosha që jam grek, por gjithmonë thoja që jam nga Saranda, nga Shqipëria. Flisja për plazhet ku shkoja, për pushimet e mia. Ka pasur raste që ziheshim sepse më quanin të dobët, por kjo nuk kishte lidhje me faktin që isha i huaj. Unë ndihesha krenar për atë që jetoja në verë, për njerëzit dhe miqtë e mi atje. Dhe kur e ndan këtë me të tjerët, ata nuk kanë më çfarë të të thonë”, u shpreh ai.
