Më 31 mars të vitit 1889 u përurua Kulla Eiffel
Nga Leonard Veizi
Në pranverën e vitit 1889, horizonti i Parisit nuk u zgjua si zakonisht nën siluetat e kishave gotike dhe harmonisë së gurit. Mbi qytetin e elegancës klasike, kishte hedhur shtat një rebelim i ftohtë hekuri, një skelet metalik që dukej se po shponte qiellin me një arrogancë të panjohur. Nuk ishte thjesht një ndërtesë; ishte një “përbindësh” prej 330 metrash, që kishte lindur nga barku i revolucionit industrial, një strukturë që nuk i përkiste asnjë tradite dhe që tronditi shpirtin estetik të kryeqytetit të dritave….
…Më 31 mars 1889, u përurua Kulla Eifel, – e cilësuar ndryshe dhe si “La dame de fer” apo e ardhur në shqip: “Zonja e Hekurt” – monumenti që sot konsiderohet më i njohuri dhe më i fotografuari në botë. Ajo u ndërtua nga inxhinieri Aleksandër Gustav Eifel si pjesë e Ekspozitës Universale – një ngjarje që shënonte 100-vjetorin e Revolucionit Francez, e projektuar për të dëshmuar muskujt teknologjikë të një epoke të re.
“Njolla” që tmerroi artistët
Por, në fillim, Parisi nuk duartrokiti. Përkundrazi, ai ulëriti. Shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj, përfshirë Gi dë Mopasan dhe Aleksandër Duma (i biri), e panë kullën si një fyerje ndaj shijes. Ata e quajtën një “makth të tmerrshëm”, një njollë të zezë metalike që po gllabëronte horizontin romantik të Francës. Për ta, ajo ishte dështimi i bukurisë përballë funksionalitetit të ftohtë të makinerisë.
Megjithatë, koha, gjykatësja më e paanshme e historisë, bëri atë që di të bëjë më mirë: ndryshoi gjithçka. Ajo që nisi si një strukturë e përkohshme 20-vjeçare, u shndërrua në zemrën vizuale të botës. Sot, ajo nuk ngrihet mbi Senë si një grumbull hekurishtesh, por si një poezi metalike që dëshmon se moderniteti dhe pavdekshmëria mund të kenë të njëjtën adresë.
Kurajoja e eksperimentit
Historia e Kullës Eifel është leksioni më i mirë mbi frikën nga e panjohura. Shpesh, eksperimentet e mëdha – qofshin ato në arkitekturë, shkencë apo mendim shoqëror – priten me skepticizëm e madje me agresivitet, sepse ato prishin komoditetin e traditës.
Por “Eiffel”-i na mësoi se, nëse Gustav Eifel do t’u ishte dorëzuar kritikave të intelektualëve të kohës, Parisi sot do të kishte një boshllëk të pashërueshëm në identitetin e tij.
Ajo që sot quhet “e shëmtuar” apo “radikale”, nesër mund të jetë standardi i ri i bukurisë. Eksperimenti nuk është thjesht një provë teknike, por një thirrje për të zgjeruar kufijtë e asaj që ne e quajmë të mundshme.
Një vepër që kënaq të gjithë që në fillim, rrallëherë arrin të ndryshojë historinë.
Kulla Eifel mbetet prova e gjallë se eksperimentet e mëdha nuk kërkojnë vetëm inxhinieri të saktë, por mbi të gjitha, vizionin për të parë përtej mjegullës së paragjykimeve të kohës. Sot, ajo na kujton se “makthet” e së djeshmes janë shpesh gurët e themelit të ëndrrave tona më të bukura të nesërme.
