Procesi gjyqësor kundër aktorit dhe komedianit britanik Russell Brand është shtyrë dhe tashmë pritet të nisë më 12 tetor në Londër, ndonëse fillimisht ishte planifikuar për qershor. Burimet ligjore bëjnë me dije se gjyqi mund të zgjasë deri në dy muaj për shkak të natyrës komplekse të çështjes dhe shumësisë së akuzave.
Brand përballet me akuza serioze që lidhen me ngjarje të ndodhura mes viteve 1999 dhe 2009. Disa gra e kanë paditur për përdhunim, sulme seksuale dhe dhunë fizike, duke rikthyer në fokus publik të kaluarën e tij personale dhe profesionale.
Aktori ka mohuar të gjitha akuzat, duke u deklaruar i pafajshëm. Ai ndodhet aktualisht në liri me kusht dhe po përgatitet për një proces gjyqësor që pritet të tërheqë vëmendje të madhe mediatike.
Pas publikimit të akuzave në vitin 2025, Brand ka pranuar se në të kaluarën ka pasur probleme me varësinë dhe sjellje të papërgjegjshme, por ka theksuar se nuk ka kryer kurrë marrëdhënie pa pëlqim. Çështja u bë publike fillimisht pas një hetimi të vitit 2023 nga media britanike, ku disa gra e akuzuan për abuzime seksuale dhe keqtrajtim emocional.
Gjyqi i tij pritet të jetë një nga më të ndjekurit në Mbretërinë e Bashkuar./mxh
