Këngëtarja me famë botërore Taylor Swift është përballur me një padi për shkelje të të drejtave të markës tregtare, për shkak të titullit të albumit të saj më të fundit, “The Life of a Showgirl”.
Sipas raportimeve të The Hollywood Reporter, padia është depozituar në një gjykatë federale në Kaliforni nga Maren Wade, autore dhe prezantuese televizive nga Las Vegasi. Ajo pretendon se Swift ka injoruar në mënyrë të qëllimshme markën e saj të regjistruar.
Wade është pronare e markës “Confessions of a Showgirl”, të cilën thotë se e ka përdorur për vite me radhë në platforma të ndryshme, përfshirë faqen e saj zyrtare, podkastet dhe shfaqjet live.
Në dokumentet ligjore, ajo akuzon Swift për shkelje të markës tregtare, konkurrencë të pandershme dhe përdorim të një titulli që, sipas saj, krijon konfuzion. Mes kërkesave të paraqitura në gjykatë janë ndalimi i përdorimit të titullit të albumit dhe kompensimi financiar për dëmet e pretenduara.
Padia përfshin gjithashtu edhe kompaninë UMG Recordings, e cila akuzohet se ka përdorur gjerësisht titullin në materiale promocionale dhe produkte komerciale që, sipas Wade, synojnë të njëjtën audiencë që ajo ka ndërtuar ndër vite.
“Një artiste që ka investuar 12 vite në ndërtimin e markës së saj nuk duhet ta shohë atë të dëmtohet nga një emër më i fuqishëm në industri”, është shprehur avokati i saj.
Deri në këtë moment, Taylor Swift nuk ka bërë asnjë reagim publik në lidhje me këto pretendime./mxh
