Yield-et e bonove 12-mujore iu kthyen rënies në ankandin e kësaj jave, ndërsa tregu financiar për momentin vazhdon të ndikohet në një masë shumë të vogël nga perspektiva e një rritjeje të re të inflacionit.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve zbriti përsëri poshtë normës bazë, në nivelin 2.48%, nga 2.53% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të zhvilluar në fund të muajit mars.
Rënia e yield-eve u ndikua nga rritja e ndjeshme e pjesëmarrjes së investitorëve, krahasuar me ankandet e fundit.
Nga 7.8 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 11.2 miliardë lekë. Pro rata ose pjesa e pranuar e ofertave konkurruese rezultoi 66.73%.
Gjatë muajit mars, yield-et kishin shënuar një zhvendosje të lehtë në rritje, e ndikuar më së shumti nga ulja e kërkesës në ankandet e titujve. Por, normalizimi i kërkesës i ka ulur sërish yield-et e këtyre instrumenteve.
Bonot 12-mujore ngelen instrumenti kryesor benchmark në tregun e brendshëm financiar, duke orientuar edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat.
Megjithëse pritshmëritë për një rritje të normës bazë të interesit pas muajit mars duket se janë forcuar, reagimi i tregut ndaj një perspektive të tillë për momentin ngelet i dobët.
Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajin mars dhe arriti në 2.6%, i ndikuar kryesisht nga shtrenjtimi i çmimeve të karburanteve.
Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të vitit, u shpreh qartë se konflikti ushtarak në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i tensioneve gjeopolitike rrezikojnë të shndërrohen në një goditje negative oferte për ekonominë shqiptare.
Raporti evidenton qartë rrezikun se, në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të zhvillimeve, kjo goditje rrezikon të pasqyrohet në rritje të inflacionit dhe frenim të rritjes ekonomike në vend, në përmasa potencialisht të ngjashme me zhvillimet që pasuan fillimin e konfliktit në Ukrainë gjatë vitit 2022.
Megjithatë, në shembullin e bankave të tjera qendrore, Banka e Shqipërisë nuk duket se ka ndërmend të nxitojë për të rritur normat e interesit, para se efekti i krizës të reflektohet qartë në trajektoren e inflacionit.
Por, me çmimet e karburantit që po qëndrojnë të larta që prej fillimit të marsit, gjasat për një përcjellje në të gjithë zinxhirin e çmimeve të konsumit janë në rritje. Mbledhja e radhës e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë do të zhvillohet më datë 6 maj./ Marrë nga Monitor.al/kb
