Last Updated on 13/11/2025 by Monika
Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Zyra e Këshillit të Europës për prezantimin e një projekti që mbështet procesin zgjedhor në vend, me fokus krijimin e një qendre trajnimi për administratën zgjedhore.
Gjatë fjalës së tij, Gonzato vuri në dukje se demokracia dhe qeverisja e mirë janë përgjegjësi të përbashkëta që kërkojnë dialog të hapur, institucione të forta dhe zotime të ndërsjella. Ai theksoi rëndësinë e reformës zgjedhore si pjesë thelbësore e rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se zgjedhjet transparente, qeverisja llogaridhënëse dhe pjesëmarrja qytetare janë baza të këtij procesi.
Ambasadori shtoi se demokracia është një proces dinamik që evoluon përmes institucioneve, teknologjisë dhe vlerave si transparenca e integriteti, duke garantuar mbështetjen e BE-së për Shqipërinë dhe veçanërisht për KQZ-në në forcimin e këtyre parimeve.
Më 17 nëntor pritet të zhvillohet konferenca e radhës ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të shënojë hapjen e grupkapitullit të fundit që përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Kohezionin./MXH
