Thoma Gëllçi
– Fejton-
Në politikën shqiptare kishte ardhur më në fund dita që shumë analistë e kishin parashikuar prej vitesh, por askush nuk kishte pasur guximin ta thoshte me zë të lartë.
Pas tri dekadash sharjesh, akuzash, revolucionesh të paralajmëruara, tradhtish kombëtare, grushtesh shteti, dosjesh, përgjimesh, non gratash, patronazhistësh, molotovësh dhe komisionesh hetimore, Partia e Edi Ramës dhe Partia e Sali Berishës kishin zbuluar një të vërtetë të thjeshtë: nuk kishin qenë kurrë aq larg nga njëra-tjetra sa kishin menduar.
Në fakt, sa më shumë studionin programet, deklaratat dhe qëndrimet e tyre, aq më shumë bindeshin se kishin kaluar vite të tëra duke debatuar për gjëra krejt dytësore. Njëlloj si dy shokë lagjeje që shahen nga nenadhe motra gjatë një ndeshjeje futbolli, pas pesë minutash shihen përsëri duke luajtur në të njëjtin ekip.
Protestat e përnatshme ua kishin hapur sytë.
Ato u treguan se në çështjet më të rëndësishme të vendit, dy partitë mendonin pothuajse njësoj. Sidomos kur vinte puna te ceshtjen me rendesi strategjike per interest kombetare qendrimin ndaj dhëndrit teTrumpit dhe vajzes se Trumpit
Madje u krijua bindja se përçarja e tyre historike nuk kishte qenë gjë tjetër veçse rezultat i një komploti të fuqive të huaja.
Në këto kushte u vendos që të hapej një kapitull i ri bashkëpunimi.
Hapi i parë do të ishte revolucionar: Shkëmbimi i sekretarëve të përgjithshëm.
Flamur Noka do të transferohej në Partinë e Edi Ramës, ndërsa Taulant Balla do të merrte detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Partinë e Sali Berishës.
Të dy kampet do të përfitonin nga përvojat më të mira të njëri-tjetrit.
Taulanti do të sillte në Partinë e Sali Berishës eksperiencën e patronazhisteve , grupet e bashkëpunimit vullnetar AGBV , monitorimin e kushërinjve deri në emigracion dhe artin e punesimeve para zgjedhjeve etj.
Ndërsa Flamuri do të sillte në Partinë e Edi Ramës përvojën e molotovit, përdorimin profesional të shkallëve, rimarrjen e selive të pushtuara nga kundershtaret ne parti dhe disiplinën e protestës tradicionale.
Në fakt kjo reforme kishte nisur prej kohesh me shkembimin eoligarkëve, pork jo ishte quajtur me teper nje veprimtari spontane dhe jo shume e institucionalizuar. Biznesmenët lëviznin lirshëm nga një kamp në tjetrin si futbollistët në merkato. Disa kishin luajtur me fanellën e njërës palë, pastaj me fanellën e tjetrës, e disa më të talentuarit kishin arritur të luanin njëkohësisht me të dyja.
Por populli nuk e kishte kuptuar rëndësinë e kësaj reforme.
Tashme me rokaden e taulantit me Flamurit co gje ishte institucionale, me statut. Cdo gje ishte gati dhe pritej vetem takimi I dy te medhenjve kur ndodhi katastrofa.
Sali Berisha doli në konferencë për shtyp dhe deklaroi se Partia e Sali Berishës mbështeste protestat qytetare dhe se kishte kërkuar mbështetje për to edhe në PPE.
Rrufe në qiell të hapur.
Flamur Noka, i cili po përgatiste dosjet e transferimit, u zverdh.
Pa humbur kohë hipi në makinë dhe u nis me shpejtësi drejt selisë.
Kur mbërriti te dera e SHQUP-it, përballë pa Agron Gjekmarkajn që po dilte.
Agroni e pa dhe u habit.
— Ç’ke, Flamur? Pse dukesh sikur ke parë fundin e botës?
Flamuri mezi merrte frymë.
— Më duket se po ndodh e keqja më e madhe.
— Çfarë?
— Doktori po dorëzohet.
— Ku?
— Në SPAK!
Agroni hapi sytë.
— Çfarë po thua?
— Po, mor burrë! Nuk e dëgjove konferencën?
— E dëgjova.
— Tha që ne mbështesim protestat.
— Po?
— Po ti i ke dëgjuar çfarë thërrasin ata?
— Çfarë?
— “Rama në burg! Berisha në burg!”
Flamuri uli zërin.
— Kjo do të thotë se doktori ka vendosur të vetëburgoset.
Agroni heshti për disa sekonda. Pastaj i vuri dorën në sup.
— Qetësohu.
— Si të qetësohem?
— Sapo dola nga zyra e doktorit.
— Dhe?
— Është e gjitha taktikë.
— Taktikë?
— Sigurisht.
— Domethënë?
— Për opinionin publik.
— Ah…
— Po na pështynin njerëzit në rrugë.
Flamuri mori frymë thellë.
Ngjyra iu kthye ngadalë në fytyrë.
— Domethënë unë të vazhdoj përgatitjet për t’u këmbyer me Taulantin?
— Patjetër.
— Nuk anulohet marrëveshja?
— Përkundrazi.
— Vazhdojmë?
— Vazhdojmë.
Agroni mendoi pak.
— Madje mund të bëjmë edhe disa shkëmbime të tjera.
— Si?
— Gazmentin me Zegjinenë. Ndoshta edhe nja dy-tre të tjerë.
— Shumë ide e mirë, — tha Flamuri.
Ai drejtoi kravatën, rregulloi xhaketën dhe u nis me hap të sigurt drejt hyrjes së selisë.
Nga larg dëgjohej zhurma e protestës që përhapej mbi qytet si jehonë.
“Rama në burg! Berisha në burg!”
