Vajza e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, Zahara Jolie, ka ndërmarrë zyrtarisht hapa ligjorë për të hequr mbiemrin “Pitt” nga emri i saj. Sipas dokumenteve të siguruara nga revista PEOPLE, 21-vjeçarja ka paraqitur kërkesën në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë më 28 prill.
Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi edhe vëllai i saj, Maddox Jolie, 24 vjeç, bëri të njëjtën gjë duke hequr ligjërisht mbiemrin e babait të tij. Lëvizjet e fundit të fëmijëve të ish-çiftit vijnë pas divorcit të Angelina Jolie dhe Brad Pitt, i cili u finalizua në dhjetor 2024, pas një ndarjeje që nisi në vitin 2016.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt kanë gjashtë fëmijë së bashku: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox dhe Vivienne. Zahara bëhet kështu fëmija i tretë që kërkon të heqë mbiemrin “Pitt”, pas Maddox dhe Shiloh, e cila tashmë përdor emrin Shiloh Jolie.
Shenjat për këtë ndryshim ishin vënë re edhe më herët. Gjatë ceremonisë së diplomimit në Spelman College në Atlanta më 17 maj, emri i Zaharës u lexua si “Zahara Marley Jolie”, megjithëse në programin zyrtar figuronte ende “Jolie-Pitt”.
Gjithashtu, në një video të publikuar nga revista Essence në vitin 2024, Zahara prezantohej si “Zahara Marley Jolie” gjatë anëtarësimit të saj në organizatën Alpha Kappa Alpha Sorority, Inc.
Edhe motra e saj Vivienne është kredituar si “Vivienne Jolie” në materialet e muzikalit “The Outsiders”, të prodhuar nga Angelina Jolie, duke shtuar spekulimet se edhe ajo mund të ketë hequr mbiemrin “Pitt”.
Burime pranë Brad Pitt janë shprehur të zhgënjyera për situatën, duke deklaruar se është “e trishtë të shohësh dikë që publikon vazhdimisht largimin e fëmijëve nga prindi tjetër”.
Ndërkohë, sipas burimeve pranë Angelina Jolie, aktorja ka një marrëdhënie shumë të afërt me Zaharan dhe ka qenë gjithmonë pranë saj në momentet më të rëndësishme, duke e mbështetur në çdo hap të jetës akademike dhe personale.
“Angelina i inkurajon të gjithë fëmijët e saj të shprehin individualitetin dhe talentet e tyre”, tha burimi për PEOPLE./mxh
