Last Updated on 07/09/2026 by EL
I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews, analisti Mentor Kikia komentoi nismën e re të Partisë Socialiste për praninë e deputetëve në terren dhe kontaktin e tyre me qytetarët.
Kikia e cilësoi këtë proces njëkohësisht komik, serioz dhe kritik, duke argumentuar se takimi i deputetëve me qytetarët në zonat që përfaqësojnë nuk duhet të paraqitet si një revolucion në politikë, por si një detyrim normal i përfaqësuesve të zgjedhur.
Sipas tij, deputetët me kalimin e kohës janë larguar nga zyrat e tyre në zonat elektorale dhe janë shkëputur nga problemet e qytetarëve deri në pikën që nuk hapin as telefonin.
“Do duhej të ishte rutina më e zakonshme. Deputetët kanë pasur detyrimin që një herë në javë të kenë zyrë deputeti. Deputeti ka pasur një zyrë edhe kur përfaqësonte një zonë elektorale, edhe pse janë deputetë liste. Njerëzit, për nevoja të ndryshme, çfarë problemesh kishin, shkonin dhe takonin deputetin. Çfarë ndodhi? Gradualisht deputetit filloi t’i zinte ndryshku i zyrës. U mbyllën zyrat dhe u kapërdinë se deputetët banojnë pothuajse të gjithë në Tiranë. U larguan nga zonat e tyre që votonin dhe shkojnë vetëm kur ka zgjedhje. U bënë arrogantë me pushtetin e madh dhe të gjatë. Nuk hapnin telefonat qytetarëve, s’duan të dinë për asgjë dhe për askënd”, deklaroi analisti.
Kikia tha se protesta e qytetarëve ka ndikuar në delegjitimimin e pushtetit të mazhorancës, duke sjellë një ndryshim edhe në mënyrën se si deputetët dhe ministrat e Partisë Socialiste komunikojnë me publikun.
“Në momentin kur çfarë bëri protesta? Protesta e delegjitimoi pushtetin absolut të Ramës dhe, mbi të gjitha, pushtetin e Partisë Socialiste. Që nga qershori, deputetët e PS-së, ministrat nuk guxojnë të bëjnë një postim në rrjet. I mbysin me komente negative. Dhe nuk është faj algoritmit. Populli, njerëzit, të opozitës apo jo të opozitës, morën kurajë për t’ia thënë një gjë atij deputetit të zonës, që e shikonin vetëm si perëndi kur i shkonte njëherë në hënë aty”, u shpreh Kikia./et
