Last Updated on 17/03/2026 by Anisa
I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, analisti Ervis Iljazaj komentoi situatën politike në vend, duke u ndalur veçanërisht te zhvillimet në kampin opozitar dhe te drejtimi i Partisë Demokratike.
Sipas Iljazajt, debati për demokracinë e brendshme në parti është i pakuptimtë, pasi partitë politike në Shqipëri funksionojnë kryesisht si struktura personale të liderëve. Ai theksoi se diskutimet për statutin apo për zgjedhjet e brendshme janë hipokrite, pasi në praktikë kryetarët e partive kanë kontroll të plotë.
Analisti u shpreh se llogaria kryesore që duhet t’i kërkohet sot kreut të opozitës Sali Berisha është aftësia për ta rikthyer Partinë Demokratike në pushtet.
“Shiko, unë mendoj që ne duhet t’i japim fund këtyre diskutimeve hipokrite. Diskutimi hipokrit është ky, aty duhet një nen në statut, një ndryshim që kryetari Sali Berisha është kryetar i përjetshëm i Partisë Demokratike. Po patjetër. Pra s’ka nevojë të bëhen zgjedhje. S’ka nevojë të diskutojmë kot e të gënjejmë njëri-tjetrin. Mendoni ju se ka garë aty, fiton njëri-tjetri? Është nonsens. Kështu që t’i kërkosh llogari PD-së sot ose Berishës për ndryshimet e statutit nuk ka sens. Partitë politike sot në Shqipëri, jo vetëm PD-ja dhe PS-ja, janë parti personale. Janë parti private, familjare po të doni. Është pa kuptim të diskutojmë sikur janë struktura demokratike ku bëhen gara reale. Kjo është keq për Shqipërinë, por ky është fakti. Për mua madje mos të bëjnë fare zgjedhje për kryetar. Për çfarë bëjnë zgjedhje kur rezultati dihet? Unë e kuptoj që mund të mbash një kryetar partie për shumë vite, por të paktën ai duhet të të sjellë pushtet. Llogaria që duhet t’i kërkohet sot zotit Berisha është shumë e thjeshtë, sill në pushtet Partinë Demokratike. Nuk po e vë njeri në diskutim që ai është kryetar partie. Pyetja është, a e sjell dot PD-në në pushtet? Sot zoti Berisha dhe PD-ja i kanë të gjitha në favor. E kanë partinë, logon, vulën. Nuk kanë më Sorosin si justifikim. Është Donald Trumpi që konsiderohet aleat i Partisë Demokratike. Pra nuk ka asnjë pengesë që mos të fitojë”, tha Iljazaj.
Ai tha se pas rikthimit të Berishës në krye të partisë, sipas tij, nuk është përmbushur asnjë nga premtimet kryesore politike.
“Po të bëjmë një bilanc nga viti 2022, kur zoti Berisha u rikthye në krye të PD-së, deri sot, mua nuk më rezulton që është fituar ndonjë betejë politike. Nuk është mbajtur asnjë premtim, përveç faktit që fitoi përballjen me Lulzim Bashën, edhe pse edhe aty kam dyshimet e mia nëse ishte betejë e vërtetë apo jo. Janë bërë zgjedhje lokale, zgjedhje të përgjithshme, janë bërë shumë premtime, nga heqja e non-gratës e deri te rrëzimi i qeverisë. Sepse nëse nuk fiton dhe nuk largohet kurrë, kjo nuk ka logjikë politike. Ky është problemi i Partisë Demokratike sot”, tha ai.
