Një analizë e thjeshtë gjaku mund të parashikojë me saktësi se kur do të fillojnë simptomat e sëmundjes së Alzheimerit, sipas një studimi të ri nga Washington University School of Medicine in St. Louis, i publikuar më 19 shkurt në Nature Medicine.
Studiuesit u përqendruan në një proteinë të quajtur p-tau217, e cila gjendet në gjak dhe lidhet me grumbullimin e pllakave amiloide dhe ngërçeve tau në tru – dy nga shenjat kryesore biologjike të Alzheimerit. Duke analizuar nivelet e kësaj proteine, shkencëtarët arritën të parashikojnë fillimin e rënies njohëse brenda një intervali prej 3 deri në 3.7 vjetësh.
Autori kryesor i studimit, Kellen Petersen, e krahasoi procesin me unazat e një peme. “Ashtu si unazat tregojnë moshën e pemës, edhe nivelet e amiloidit dhe tau-së ndjekin një model të qëndrueshëm që na ndihmon të parashikojmë se kur do të shfaqen simptomat,” tha ai.
Studimi përfshiu 603 të rritur me moshë mesatare 67.7 vjeç. Rezultatet treguan se mosha luan rol të rëndësishëm në mënyrën si truri përballon grumbullimin e proteinave toksike. Për shembull, një 60-vjeçar me nivele të larta proteinash mund të mos shfaqë simptoma për rreth 20 vjet, ndërsa një 80-vjeçar me të njëjtat nivele mund t’i përjetojë ato pas vetëm 11 vjetësh.
Aktualisht, identifikimi i rrezikut për Alzheimer kërkon skanime të kushtueshme të trurit ose procedura invazive si analiza e lëngut cerebrospinal. Testi i ri i gjakut ofron një alternativë më të shpejtë, më pak të kushtueshme dhe më të arritshme, që mund të ndryshojë mënyrën se si mjekët i qasen diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjes.
Megjithëse testi përdoret për momentin kryesisht në kërkime shkencore, ekspertët besojnë se në të ardhmen ai mund të ndihmojë pacientët dhe mjekët të planifikojnë ndërhyrje të hershme për të parandaluar ose ngadalësuar përparimin e sëmundjes./mxh
