Last Updated on 18/08/2025 by adminfjala
Në një kohë kur ekonomia kërkon stabilitet dhe tregu i lirë duhet të funksionojë pa pengesa, Kodi i ri Penal po sjell debate të forta. Ekspertët paralajmërojnë se disa nga ndryshimet e propozuara mund të cenojnë lirinë ekonomike dhe të ndërhyjnë drejtpërdrejt në mënyrën se si funksionojnë bizneset në vend.
Aleanca e Profesionistëve të Lirë e ka bërë hapin e parë tashmë, duke i kërkuar Ministrit të Drejtësisë rishikime që të ruajnë balancën mes drejtësisë dhe tregut të lirë.
“Projekt-Kodi përfshin dispozita që zgjerohen përtej fushës tradicionale të së drejtës penale, duke penalizuar sjellje që deri më tani janë trajtuar përmes instrumenteve civile ose administrative. Një qasje e tillë kërkon vlerësim të kujdesshëm për të ruajtur parimin e proporcionalitetit dhe për të shmangur mbivendosjen e panevojshme të mekanizmave ndëshkues.”
Po propozimet në Kodin e ri Penal parashikojnë që në rast shkeljesh, për disa lloj abuzimesh propozohet dënim me burg, përveç penalitetit. Kjo situatë për ekspertët e fushës do të cenojë marrëdhëniet mes administratës dhe tatimpaguesve.
“Neni 537 i projekt-ndryshimeve në Kodin Penal, që parashikon ndëshkime për “tarifa të papërshtatshme të shërbimit”, duhet të rishikohet me prioritet. Në një ekonomi tregu, çmimet përcaktohen nga marrëdhënia kërkesë–ofertë dhe natyra e shërbimit, jo nga sanksione penale. Vetë nocioni “tarifë e papërshtatshme” është juridikisht i paqartë dhe nuk mund të përbëjë objekt të së drejtës penale.”
Kodi i ri Penal përmban 952 nene. Prej fundit të muajit korrik drafti është publikuar në faqen e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka hyrë në fazën e konsultimeve. m.p.
