Rory Carroll
Marrëdhëniet me Britaninë janë përmirësuar sërish pas Brexit-it, por betejat mbi historinë irlandeze mbeten të dukshme në grindjet e pafundme në Stormont.
Më shumë se një shekull pasi u dërgua drejt trekëmbëshit, emri i Roger Casement vazhdon të mbetet “radioaktiv”, duke lëshuar ende një jehonë të lehtë në marrëdhëniet britaniko-irlandeze.
Ai u shpall kalorës në vitin 1911 nga Mbreti George V për shërbime të shquara ndaj perandorisë, por më pas përqafoi nacionalizmin radikal irlandez dhe kërkoi ndihmën e Gjermanisë për Kryengritjen e Pashkëve të vitit 1916.
Qeveria britanike u kujdes që, kur laku t’i shtrëngohej në qafë dhe leva të tërhiqej, ai të mos binte në martirizim, por në turp. Ai nuk u shpall vetëm tradhtar, por – siç thuhej në një memorandum qeveritar – edhe një “i degjeneruar”, i dhënë pas perversiteteve seksuale. “Nuk shoh asnjë pengesë për ta varur Casement dhe më pas për t’i dhënë publicitet përmbajtjes së ditarit të tij, aq sa lejon morali”, shkruante Sir Ernley Blackwell, këshilltar kryesor ligjor i Ministrisë së Brendshme.
Vendimi për të nxjerrë në publik ditarët privatë, që dokumentonin homoseksualitetin e Casement, mbetet një çështje e pazgjidhur mes këtyre dy ishujve. Britania është përpjekur ta harrojë këtë ish-konsull të Ministrisë së Jashtme, të dënuar për tradhti të lartë dhe të ekzekutuar në burgun Pentonville më 3 gusht 1916 – një shënim i vogël në historinë e Luftës së Parë Botërore.
Irlanda, përkundrazi, e kujton. Casement shfaqet në pulla postare, statuja dhe murale; fati i tij rrëfehet në balada, poezi dhe përkujtimore. Një njeri fisnik – humanitar që denoncoi mizoritë ndaj fiseve indigjene në Kongo dhe Peru, një patriot që kërkoi pavarësinë e Irlandës – i rrëzuar nga lojëra të pista.
Dëshira e tij e fundit ishte të varrosej në luginat e kontesë Antrim, ku ishte rritur. Por qeveria e Harold Wilson, kur riatdhesoi eshtrat nga Pentonville në vitin 1965, këmbënguli që ato të mos vendoseshin në Irlandën e Veriut. Kështu, ai mbetet i varrosur në parcelën republikane të varrezave Glasnevin në Dublin, shumë i ngarkuar me histori për t’u zhvarrosur e zhvendosur. Edhe në vitin 2026, një veprim i tillë do të ndizte tensione politike – dhe Irlanda e Veriut ka mjaft plagë nga ndarja dhe “Troubles”. Casement qëndron në Dublin si një fantazmë e paqetë.
Marrëdhëniet britaniko-irlandeze kanë kapërcyer helmimin e Brexit-it dhe kanë rikuperuar një nivel besimi e ngrohtësie. Në mars, kryeministri irlandez Micheál Martin priti Keir Starmer në Cork për një samit dypalësh dhe më pas e mbrojti atë në Uashington, kur Donald Trump e sulmoi gjatë ceremonisë së Shën Patrikut. Po atë muaj, Londra dhe Dublini rifilluan një marrëveshje mbrojtjeje që mund të lejojë Marinën Mbretërore të reagojë ndaj kërcënimeve në ujërat irlandeze.
Megjithatë, Casement mbetet një tabu – një temë e mbushur me kontradikta të pazgjidhura.
Në qendër të historisë qëndron kapiteni i Marinës Mbretërore, Reginald “Blinker” Hall. I shkëlqyer, ekscentrik dhe i pamëshirshëm, ai drejtonte shërbimin e inteligjencës detare dhe ndoqi gjurmët e Casement nga Gjermania në Irlandë, duke e sjellë të burgosur në Londër.
Por historia merr një kthesë të papritur: Casement ishte kthyer në Irlandë për të ndaluar kryengritjen, të cilën e konsideronte të dështuar që në nisje. Ai kërkoi t’u dërgonte një mesazh shokëve në Dublin, duke i lutur të tërhiqeshin.
Hall refuzoi. Ai ishte në dijeni të kryengritjes dhe mbajti të fshehtë një pjesë të informacionit nga administrata britanike në Irlandë, me sa duket duke shpresuar që rebelimi të ndodhte, të dështonte dhe të shërbente si justifikim për goditjen e nacionalistëve irlandezë.
Ai nuk parashikoi aftësinë e irlandezëve për ta kthyer një disfatë ushtarake në një flakë ringjalljeje – një “bukuri të tmerrshme”, siç e quajti W.B. Yeats – që do të çonte, tre vjet më vonë, në luftën anglo-irlandeze dhe në rrugën drejt pavarësisë së 26 nga 32 kontetë e Irlandës.
Pas shtypjes së kryengritjes në Dublin, Casement u dënua me vdekje. Miqtë dhe aleatët e tij anglezë, duke kujtuar veprën e tij humanitare në Afrikë dhe Amazonë, kërkuan falje. Edhe irlandezo-amerikanët me ndikim në SHBA ndërhynë.
Por për Hall-in, drejtësia kërkonte vdekjen dhe diskreditimin e tij. Casement kishte bashkëpunuar me gjermanët dhe kishte tentuar të rekrutonte robër lufte irlandezë kundër Britanisë. Ditarët e tij, të siguruar nga Scotland Yard, jo vetëm dokumentonin marrëdhënie homoseksuale, por i përshkruanin ato me krenari.
Me miratimin e qeverisë, Hall shpërndau pjesë të tyre te diplomatë, gazetarë dhe klerikë në të dy anët e Atlantikut. “Ditarët e një të degjeneruari”, shkruante Daily Express. Titulli i kalorësisë iu ho, dhe fushata për falje u shua. Kur zilja e burgut ra, turma jashtë Pentonville brohoriti.
Alan Turing mori falje mbretërore pas vdekjes në vitin 2013 – dhe e njëjta duhet të ndodhë edhe për Casement. Ai ishte fajtor për tradhti, por u vra edhe nga homofobia. Për vite me radhë Irlanda besoi se ditarët ishin falsifikime britanike; sot, gjithnjë e më shumë pranohet se janë autentikë, duke e bërë Casement njëkohësisht simbol nacionalist dhe të komunitetit LGBTQ.
Megjithatë, autoritetet irlandeze hezitojnë të kërkojnë falje zyrtare. Casement kishte marrëdhënie me partnerë shumë të rinj, çka mbetet problematike. Ndërkohë, ka edhe çështje më urgjente historike, si rasti i Pat Finucane.
“Merreni trupin tim dhe lëreni në varrezat e vjetra të Murlough Bay”, lutej Casement para ekzekutimit. Por, për sa kohë historia e Irlandës mbetet e debatueshme dhe e ndarë, kthimi i tij në Antrim duket i pamundur.
Irlanda e Veriut mbetet e polarizuar mes Sinn Féin dhe Partisë Demokratike Unioniste, me përplasje të vazhdueshme që paralizojnë Stormont-in. Edhe rindërtimi i stadiumit Casement Park në Belfast është kthyer në një betejë simbolike.
Njeriu që i dha emrin këtij stadiumi mbetet, sipas këndvështrimit, rebel ose tradhtar. Në të vërtetë, ai ishte të dyja. Dhe vetëm kur kjo të pranohet nga të gjitha palët, ndoshta Roger Casement do të mund të falet – dhe më në fund të kthehet në shtëpi.
