Last Updated on 28/09/2025 by adminfjala
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ka folur së fundmi për zhvillimet politike, kryesisht për garën e kreut të Bashkisë Tiranë. Muçi ka lënë të hapur mundësinë për të kandiduar, sigurisht nëse emri i tij do të zgjidhet nga Këshilli Koordinues.
Në rast se Redi Muçi do të futet në garë për kryetar të Bashkisë së Tiranës, automatikisht mandati i deputetit do t’i kalojë Arlind Qorit. Diçka të tillë e ka pohuar vetë deputeti Muçi për “EuronewsAlbania”.
“Në momentin që do të shpallet data e zgjedhjeve, atëherë edhe ne do të dalim me kandidatin tonë, që mund të jetë kushdo prej nesh. Nuk është detyrimisht që do të jetë Arlind Qori, mund të jem edhe unë, por edhe dikush tjetër si Mirela Ruko, Jani Marka, ka një sërë figurash që mund të ishin të denja për kandidaturë për kreun e Bashkisë së Tiranës. Do të diskutohet si strategji brenda Lëvizjes Bashkë dhe unë, sigurisht, do t’i bindem vendimit të kolektivit. Nëse unë do të jem kandidati i përzgjedhur, vendin tim në parlament do ta zërë Arlind Qori, i cili është i dyti në listë”, tha Redi Muçi./e.t
