Last Updated on 22/09/2026 by Anisa
“Ky është tërmet shtetëror! Ka rënë Republika!”
Kështu e ka cilësuar ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, aksionin e SPAK dhe BKH-së, pas zhvillimeve të fundit që kanë prekur nivele të larta të institucioneve të sigurisë në vend.
Topalli shkruan se situata nuk lidhet thjesht me disa zyrtarë të korruptuar, por ngre akuza shumë më të rënda për mënyrën se si funksionojnë institucionet dhe raportet mes pushtetit, krimit të organizuar dhe strukturave të sigurisë.
“Nuk jemi përpara disa zyrtarëve të korruptuar. Jemi përballë akuzave për kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, ku pushteti politik, institucionet e sigurisë, paratë e drogës dhe zgjedhjet ndërthuren në një mekanizëm të vetëm.
Arrestimet e sotme nuk mund të mbyllen me ndryshimin e disa emrave. Përgjegjësia politike për drejtimin dhe emërimet në institucionet e sigurisë shkon deri në majën e qeverisë.
Siguria kombëtare nuk është pronë e një Kryeministri. Është përgjegjësi kushtetuese dhe shtetërore. Kur institucionet që duhet të mbrojnë Republikën dyshohen se i shërbejnë krimit, në rrezik është vetë shteti!”
Reagimi i Topallit vjen në një ditë kur SPAK dhe BKH kanë zhvilluar një aksion në Tiranë, me kontrolle në banesat e disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.
Në qendër të zhvillimeve është drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Hyseni është pezulluar gjithashtu nga detyra.
Sipas të dhënave të bëra publike, Hyseni dyshohet për veprat penale “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Nxjerrje e sekretit”.
Masa e sigurisë nuk është ekzekutuar ende, pasi Hyseni ndodhet jashtë Shqipërisë. Ajo raportohet se ndodhet në Baku të Azerbajxhanit, ku merr pjesë në një konferencë ku janë mbledhur drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë kontrollit në banesën e saj, agjentët e BKH-së nuk e kanë gjetur Hysenin në shtëpi.
Në qendër të hetimeve janë edhe marrëdhëniet që Hyseni dyshohet se ka pasur me biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar më herët dhe i dyshuar nga organet e drejtësisë në lidhje me një grup të organizuar që po hetohet për veprimtarinë e tij në dhe rreth strukturave të AKSHI-t.
Hetimet janë shtrirë edhe te ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e tij në Tiranë.
Sipas raportimeve, gjatë kontrollit në banesën e Prodës janë sekuestruar telefoni, një laptop, si dhe disa USB dhe CD.
Pas kontrolleve, Ilir Proda është paraqitur në SPAK, ku është marrë në pyetje dhe më pas është parë duke lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Në kuadër të këtij operacioni raportohet gjithashtu për arrestimin e disa punonjësve të Policisë së Shtetit. Numri, identitetet dhe akuzat konkrete ndaj secilit prej tyre nuk janë bërë ende të gjitha publike.
Aksioni i SPAK dhe BKH-së lidhet me hetimet që kanë prekur edhe çështjen e Ergys Agasit dhe persona të tjerë të përfshirë në hetim. Sipas raportimeve, kontrollet janë kryer edhe pas gjetjes së komunikimeve në pajisje të sekuestruara gjatë hetimit.
Zhvillimet e sotme kanë sjellë në qendër të vëmendjes institucionet që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe rendin publik, ndërsa hetimi i SPAK vijon dhe pritet që në vijim të bëhen publike të tjera detaje mbi personat e përfshirë dhe akuzat konkrete./ad
