Një histori e errët kriminale, e mbuluar për dekada nga arratia dhe identitetet false, ka marrë një kthesë të re pas arrestimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Sokol Hoxhës, i akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve shqiptarë në Patos dhe të një gruaje shqiptare në Belgjikë.
Sokol Hoxha rezulton i dënuar me 25 vite burg nga drejtësia shqiptare për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, krim i ndodhur në mars të vitit 1997, një nga periudhat më të trazuara për vendin. Ndërkohë, autoritetet belge e kërkojnë gjithashtu për vrasjen e Brunilda Dervishit, ngjarje e ndodhur në gusht të po atij viti në Bruksel.
Sipas hetimeve, pas krimit të dyfishtë në Shqipëri, Hoxha u arratis fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë. Atje dyshohet se kishte krijuar një lidhje të sajuar martesore me Brunilda Dervishin, të cilën më pas e shfrytëzonte për prostitucion. Hetuesit besojnë se konflikti mes tyre nisi pasi viktima kundërshtoi aktivitetin kriminal të Hoxhës, çka dyshohet se çoi edhe në vrasjen e saj në një lokal në Bruksel.
Pas krimit në Belgjikë, Hoxha dyshohet se u zhvendos në Britaninë e Madhe duke përdorur dokumente false kosovare, praktikë e përdorur nga shumë emigrantë shqiptarë gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Me këto dokumente ai arriti të siguronte leje qëndrimi në territorin britanik.
Megjithatë, frika se identiteti i tij mund të zbulohej e shtyu të largohej edhe më tej. Në fillim të viteve 2000 ai emigroi në SHBA, ku jetoi për më shumë se dy dekada me identitet të rremë, ndërsa mbi të rëndonin akuzat për tre vrasje.
Hetimet ndërkombëtare për lokalizimin e tij u intensifikuan vitet e fundit, me përfshirjen e agjencive ligjzbatuese nga Shqipëria, Belgjika, Britania e Madhe, Kosova dhe SHBA. Autoritetet shqiptare dorëzuan një kërkesë ekstradimi në vitin 2019, ndërsa në vitin 2021 hetuesit amerikanë arritën të identifikonin përfundimisht Hoxhën përmes krahasimit të shenjave të gishtave dhe fotografive të vjetra.
Sipas të dhënave hetimore, aktiviteti kryesor kriminal i Hoxhës në Belgjikë lidhej me prostitucionin, ndërsa edhe vrasja e Brunilda Dervishit dyshohet të ketë ardhur si pasojë e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Mësohet se më 5 maj, në shtetin e Ohajos, autoritetet amerikane arrestuan të shumëkërkuarin, duke i dhënë fund një arratie që zgjati afro tre dekada. Aktualisht po shqyrtohen procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ose Belgjikës, ku do të përballet me dënimet dhe akuzat e ngritura ndaj tij.
Sokol Hoxha është sot 52 vjeç. Arrestimi i tij konsiderohet një sukses i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar mes agjencive ligjzbatuese, pas një hetimi që zgjati gati 30 vite./A.D
