Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, në cilësinë e kryetares së Delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), foli sot në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH 24 mbi takimet e zhvilluara në Bullgari.
Mila e cilësoi sesionin si shumë produktiv, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e ekonomisë dhe inovacionit.
“Vendet e Europës Juglindore kanë shumë çka për të ndarë me njëri-tjetrin. Jemi të ngjashëm kulturalisht dhe historikisht, dhe një pjesë e vendeve, sikurse Shqipëria, janë në rrugën drejt BE-së,” tha ajo.
Deputetja nënvizoi se diskutimet u fokusuan tek startup-et dhe teknologjia, duke u dakordësuar për harmonizimin e rregullave dhe ligjeve në parlamentet e vendeve pjesëmarrëse.
“Kur ky proces është i harmonizuar për gjithë rajonin, ne kemi mundësi reale për të zhvilluar ekonomitë tona vendase dhe më pas për të ecur drejt BE-së në mënyrë sa më cilësore” u shpreh Mila.
Ajo shtoi se SEECP është një nga organizatat më të fuqishme të rajonit, me vendime të rëndësishme çdo vit.
“Mendoj se do të jetë një rrugëtim shumë i mirë i kësaj organizate, sepse janë disa procese që kanë nisur dhe mbeten për t’u zbatuar” tha deputetja socialiste.
Në fjalën e saj, Mila theksoi se Shqipëria ka treguar gjithmonë vullnetin e mirë për këtë forum, sidomos gjatë presidencës së saj në krye të SEECP.
“Vumë në vëmendje arritjet që janë bërë deri tani përsa i përket inovacionit dhe teknologjisë, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale në platformat zyrtare të administratës,” deklaroi ajo.
Deputetja shtoi se mesazhi kryesor nga Bullgaria ishte nevoja për më shumë afrim mes vendeve të rajonit.
“Duhet të jemi shumë më pranë nga sa jemi sot. Këto indicie do të na bëjnë që të kemi mundësi të bashkëpunojmë më shumë dhe e ardhmja e vendeve tona do të jetë shumë e mirë” tha Mila.
SEECP përfshin 13 vende të rajonit, mes tyre Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Greqia, Turqia dhe Kroacia.
Procesi u iniciua në vitin 1996 në Sofje, ndërsa samiti i parë u mbajt në Kretë në vitin 1997.
Shqipëria mbajti presidencën nga korriku 2024 deri në qershor 2025, nën moton “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane”, ndërsa aktualisht kryesinë e ka Bullgaria.
