Last Updated on 23/10/2025 by Leonard
Ata që dikur kontrollonin botën sot nuk kontrollojnë dot një Kanal
Nga Leonard Veizi
Lajmet e ditëve të fundit flasin për një realitet që i ngjan më shumë paradoksit sesa politikës: Franca po tërhiqet nga angazhimi për të përdorur forcën në ndalimin e gomoneve që përpiqen të kalojnë Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar. Pas vitesh përpjekjesh, patrullimesh, marrëveshjesh dhe deklaratash të forta, duket se Parisi po i ul tonet – ndoshta i lodhur, ndoshta i dorëzuar përballë një problemi që nuk njeh kufij.
Në të njëjtën kohë, kryeministri shqiptar Edi Rama, në një intervistë për “BBC”-në, kujtoi se bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe uli me 95% numrin e shqiptarëve që mbërritën me gomone pas marrëveshjes së vitit 2023. Një sukses që u paraqit si shembull i politikave që japin rezultat, por që gjithashtu ngre pyetjen: pse funksionon kjo me një vend të vogël si Shqipëria, ndërsa nuk funksionon me mijëra të tjerë që nisen çdo ditë nga brigjet e Francës?
Dhe megjithatë, Anglia përsërit se shqiptarët vazhdojnë të jenë problematikë në Londër e kudo.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Keir Starmer flet me shqetësim tek “The Sun” për “perandorinë e trafikantëve – si rrugë kriminale që kalon përmes Ballkanit Perëndimor” e cila po shtrihet në gjithë Europën.
Por kujt i drejtohet ankesa e tij?
Sepse në fund të fundit, Britania nuk është ndonjë shtet me mundësi të kufizuar. Ka një flotë ndër më të fuqishmet në botë, një aviacion të frikshëm, një inteligjencë që për dekada është konsideruar ndër më të mirat – MI6, simbol i shërbimit sekret ushtarak britanik, është pjesë e imagjinatës kolektive globale. E megjithatë, një vend që dikur kontrollonte oqeanet, sot duket se mezi po përballon një rrjedhë ujore që quhet Kanali i La Manshit.
Kjo është ndoshta ironia më e madhe e kohës sonë: fuqitë që dikur rishkruanin kufijtë e botës me një goditje të lapsit, sot përballen me kufijtë e tyre të brendshëm – burokracinë, pasigurinë, mungesën e besimit të qytetarëve. Nuk është më çështje tankesh apo fregatash. Është çështje organizimi, vullneti politik dhe sinqeriteti në përballjen me realitetin.
Kanalin e La Manshit nuk po e pushton askush. Nuk po e kërcënon ndonjë flotë e huaj. Janë thjesht njerëz – të lodhur, të dëshpëruar, që kërkojnë një fillim të ri. Dhe megjithatë, ata po ekspozojnë kufizimet e një bote që e quan veten të zhvilluar, por shpesh nuk di si të menaxhojë humanitetin e vet.
Në fund të fundit, pyetja nuk është më se kush do ta ndalojë gomonen e radhës mbushur me emigrantë të paligjshëm. Pyetja është: a ka ende dikush që di si ta drejtojë këtë anije të madhe që quhet Europë?
