Last Updated on 18/04/2025 by adminfjala
Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur katër persona.
Pas atentatit mafioz të ndodhur pak orë më parë në qytetin e Lezhës, ku mbeti i vrarë 64-vjeçari Gjovalin Prendi, një tjetër atentat ka tronditur vendin. Në kryeqytet, në zonën e Lundrës mësohet se persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti.
Nga të dhënat paraprake mësohet se nga të shtënat kanë mbetur të plagosur katër persona, mes tyre dhe dy të mitur. Sipas informacioneve të plagosur kanë mbetur Arec Stafa 34 vjeç, Kjan Mullai 19 vjeç si dhe dy të miturit, M.Demiri 17 vjeç dhe D. Demir 11 vjeç.
Sipas informacioneve shënjestra është ndjekur nga autorët nga rreth rrotullimi i Shkozës. Dyshohet se autorët e atentatit kanë djegur makinën në Lundër. Aktualisht, të plagosurit janë dërguar në spital dhe po marrin ndihmën mjekësore.
Dy prej të plagosurve nga atentati në Tiranë, ndodhen në gjendje të rënë tek Spitali i Traumës, ndërsa dy të tjerët fatmirësisht kanë marrë plagë më të lehta.
Ende nuk dihen shkaqet e atentatit, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.
“Më datë 17.04.2025, rreth orës 21:50, në spitalin e Traumës, kanë shkuar dyshohet të plagosur me armë zjarri në Lundër, shtetasit A. S., 34 vjeç, K. M., 19 vjeç, dhe dy të mitur të moshës rreth 11 vjeç dhe 17 vjeç.
Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Për këtë ngjarje do të kemi informacion më të zgjeruar pas sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia. / S,M