Të tjera detaje mësohen lidhur me gjendjen e gjeneralit rus Vladimir Alexeyev, i cili u qëllua me armë zjarri disa herë të premten e 6 shkurtit në Moskë.
BBC shkruan se zëvendësshefi i inteligjencës ushtarake (GRU), ka rifituar vetëdijen pas një operacioni të suksesshëm. Ai ishte dërguar me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, pasi u sulmua në hyrjen e pallatit ku banonte.
Gjenerali 64-vjeçar mori tre plagë nga armë zjarri në kraharor ose bark. Dy persona të dyshuar janë arrestuar dhe pritet të merren në pyetje, ndërsa autoritetet kanë hapur një çështje penale për tentativë vrasjeje.
Zyrtarët rusë akuzuan Kievin për sulmin, por Ministri i Jashtëm i Ukrainës mohoi çdo përfshirje. Mjekët deklaruan se “rreziku për jetën e Alexeyev ka kaluar”, ndërsa ai u mbajt përkohësisht në koma të induktuar mjekësore.
Alexeyev është një figurë e lartë e GRU-së, i dekoruar me titullin “Hero i Rusisë” për rolin e tij në ndërhyrjen ushtarake në Siri. Ai ka qenë i sanksionuar nga BE dhe Britania e Madhe pas akuzave për sulmin me agjent nervor në Salisbury (2018). Gjenerali ka pasur rol kyç edhe në negociatat me grupin mercenar Wagner pas rebelimit të qershorit 2023.
Ky është sulmi i fundit ndaj një zyrtari të lartë ushtarak rus që nga nisja e luftës në Ukrainë në shkurt 2022. Më herët, gjeneralë të tjerë janë vrarë në shpërthime në Moskë, ndërsa autoritetet ruse pretendojnë se kanë parandaluar edhe atentate të tjera.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se SHBA-të kanë propozuar që raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Moskës dhe Kievit të mbahet për herë të parë në tokë amerikane, “ndoshta në Miami”, duke shtuar se Uashingtoni dëshiron që lufta të përfundojë deri në qershor./mxh
