Last Updated on 10/12/2025 by EL
Avokati Kujtim Cakrani i ftuar në emisionin Intervista e Ditës në DritareTV u shpreh se dosja e Ilir Metës është e mbushur me hamendësime dhe i mungojnë provat materiale që lidhin ish-presidentin me korrupsionin apo pastrimin e parave.
Ai u ndal specifikisht te një ndër akuzat më të përfolura: ajo për një shumë prej 200 mijë eurosh.
Cakrani e cilësoi këtë akuzë si ‘qesharake’ dhe të pabazuar. Avokati argumentoi se kjo shumë është e papërfillshme për një figurë që ka mbajtur postet më të larta të shtetit dhe ka pasur të ardhura të ligjshme ndër vite.
Ai tha se prokuroria po përpiqet të kriminalizojë veprime normale ose të keqinterpretojë mesazhe telefonike pa pasur transaksione bankare apo prova të tjera mbështetëse.
Sipas avokatit, SPAK nuk ka arritur të gjejë asnjë dokument zyrtar, qoftë Vendim i Këshillit të Ministrave (VKM), kontratë koncesionare apo procedurë tenderimi, ku të jetë firma e Ilir Metës.
“Zero pasuri të fshehura, zero firma në afera korruptive”, deklaroi Cakrani.
Ai shpjegoi se të ardhurat e Metës ndër vite, vetëm nga pagat si zyrtar i lartë, e justifikojnë plotësisht pasurinë e tij dhe se pretendimet për lobime të paligjshme apo pastrim parash janë thjesht fluska mediatike të ushqyera nga kundërshtarët politikë.
Cakrani tha se mbrojtja ka kërkuar vazhdimisht që prokuroria të vendosë në dispozicion listën e plotë të provave, por deri më tani është përballur vetëm me një mal fashikujsh pa një lidhje kauzale të qartë me veprat penale për të cilat akuzohet Meta./E.T
