Prokuroria dhe hetuesit e autoritetit tatimor në Hungari kanë bastisur sot zyrat ku ndodhen serverët e të dhënave të përdorura nga partia “Fidesz” e ish-kryeministrit Viktor Orban, në kuadër të një hetimi për dyshime për përvetësim fondesh dhe vepra të tjera penale, sipas AP.
Zëdhënësja e prokurorisë së qarkut Bács-Kiskun, Marianna Bodó, tha se operacioni lidhet me një hetim mbi dyshimin për keqpërdorimin e fondeve të dhëna, përmes Fondit Kombëtar të Kulturës të Hungarisë gjatë kohës kur qeveria drejtohej nga Orban.
Sipas autoriteteve, gjashtë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë janë akuzuar për keqpërdorimin e rreth 17 miliardë forintëve hungarezë (rreth 53,5 milionë dollarë). Ata i kanë mohuar akuzat.
Hetuesit dyshojnë se fondet janë shpërndarë në mënyrë jo transparente për artistë dhe figura të lidhura me partinë “Fidesz”.
Disa prej përfituesve thuhet se kanë marrë pjesë edhe në fushata elektorale në mbështetje të kësaj force politike.
Autoriteti Kombëtar i Tatimeve dhe Doganave ka asistuar në operacionin e kontrollit, ndërsa prokuroria nuk dha detaje të tjera, duke thënë se informacioni i mëtejshëm mund të dëmtojë hetimin.
Partia “Fidesz” e ka dënuar bastisjen, duke akuzuar qeverinë e re të kryeministrit pro-evropian, Péter Magyar dhe partinë e tij “Tisza” se po përdorin sistemin e drejtësisë për ta shkatërruar politikisht.
Në një reagim në rrjetet sociale, partia “Fidesz” tha se hetuesit kanë vepruar “pa njoftim paraprak” dhe se synimi ishte marrja e kontrollit mbi sistemin e komunikimit dhe bazat e të dhënave të partisë.
Sipas saj, një veprim i tillë nuk kishte ndodhur në Hungari që prej përfundimit të komunizmit në vitin 1990.
Viktor Orban dhe “Fidesz” qeverisën Hungarinë për 16 vite, deri në humbjen e thellë në zgjedhjet e prillit.
Gjatë periudhës së tyre në pushtet, ata janë përballur vazhdimisht, me akuza për korrupsion, dobësim të institucioneve demokratike dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Pas marrjes së pushtetit në maj, kryeministri Péter Magyar ka nisur një seri ndryshimesh institucionale, duke larguar disa zyrtarë të emëruar gjatë qeverisjes së Orban.
Ai e ka përshkruar sistemin e mëparshëm si një “strukturë mafioze”, ndërsa kundërshtarët e tij e akuzojnë për hakmarrje politike.
Përplasja mes qeverisë së re dhe kampit të Orban pritet të vazhdojë, ndërsa hetimi për fondet publike dhe rolin e figurave të lidhura me partinë “Fidesz” mbetet në zhvillim./mxh
