Shakira ka zbuluar prapaskenat e krijimit të videoklipit të himnit zyrtar të Kupës së Botës 2026, “Dai Dai”, duke rrëfyer se rolin kyç për përfshirjen e Kylian Mbappé e pati Lewis Hamilton.
Në një intervistë për kanalin brazilian CazéTV, e realizuar në Nju Jork gjatë finales së Botërorit, artistja kolumbiane tregoi se futbollisti francez ishte emri i parë që pranoi ftesën për t’u bërë pjesë e projektit.
“Mbappé ishte futbollisti i parë që pranoi të ishte pjesë e videos,” tha Shakira, duke shpjeguar se gjithçka nisi me një mesazh drejtuar mikut të saj, Lewis Hamilton.
“Historia shkoi kështu: e dija që Lewis Hamilton është mik me Mbappé, kështu që i shkrova menjëherë. I thashë: ‘Hej Lewis, a mund të më lidhësh me Mbappé?’. Ai u përgjigj: ‘Po, në rregull’. Krijuam një bisedë në grup me tre persona dhe unë fola me të, madje e telefonova.”
Rezultati ishte i menjëhershëm. Mbappé jo vetëm që pranoi ftesën, por u bë edhe personazhi që hap videoklipin me fjalët: “Shakira, we are ready.”
Kënga “Dai Dai” u kthye në kolonën zanore të Botërorit 2026 dhe regjistroi një sukses të madh në platformat muzikore, ndërsa videoklipi mblodhi një numër të madh yjesh të futbollit botëror. Përveç Mbappés, në të shfaqen edhe Lionel Messi, Vinícius Júnior, Erling Haaland, Harry Kane, Rodri, Luis Díaz, Jamal Musiala, Christian Pulisic, Takefusa Kubo, Bukayo Saka dhe shumë emra të tjerë.
Shakira ishte një nga figurat më të spikatura të Kupës së Botës edhe falë performancës së saj në spektaklin e pjesës së parë të finales mes Spanjës dhe Argjentinës, ku interpretoi “Dai Dai” së bashku me Burna Boy.
Miqësia mes Shakirës dhe Lewis Hamilton daton prej vitesh. Të dy janë fotografuar së bashku në disa evente të Formula 1, ndërsa pas ndarjes së këngëtares nga Gerard Piqué u përfol edhe për një romancë mes tyre, zëra që nuk u konfirmuan asnjëherë. Edhe Hamilton dhe Mbappé njihen prej kohësh, duke ruajtur një raport miqësor dhe respekt të ndërsjellë./mxh
