Lista e zezë e Bashkimit Evropian me pothuajse 3,000 individë dhe subjekte, e cila duhet të zgjatet çdo gjashtë muaj, do të skadonte të mërkurën.
Por ambasadorët nga 27 shtetet anëtare të BE-së e shtynë afatin një javë pasi përpjekjet e vona nga Parisi për të larguar manjatin 73-vjeçar të metaleve uzbek-rus Usmanov hasën kundërshtime.
Usmanov, një ish-aksionar kryesor në klubin e futbollit Arsenal, u vendos në listën e sanksioneve të BE-së në vitin 2022 për atë që Brukseli tha se ishin lidhjet e tij të ngushta me Kremlinin.
“Konsultimet do të vazhdojnë dhe pritet të zhvillohen diskutime të mëtejshme”, tha një zëdhënës i Irlandës, e cila mban presidencën e radhës të BE-së.
“Rinovimi i listave është thelbësor për të vazhduar minimin e makinës së luftës së Rusisë dhe për të vazhduar presionin mbi individët dhe subjektet që e mbështesin, e mundësojnë dhe përfitojnë prej saj”, tha zëdhënësi.
Diplomatët e BE-së thanë se Franca i zuri në befasi homologët e saj duke mbështetur një kërkesë sllovake për ta hequr Usmanovin nga lista. Diplomatët thanë se Franca nuk dha një arsye të qartë përveçse tha se ishte për “siguri kombëtare”.
Zyrtarët francezë konfirmuan se po kërkonin të largonin Usmanovin, por nuk dhanë detaje për motivet e tyre.
Financial Times raportoi se Parisi po bënte këtë përpjekje si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e të burgosurve që përfshinte disa qytetarë francezë të mbajtur në Azerbajxhan, duke cituar njerëz të njohur me çështjen.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, i tha AFP-së të hënën vetëm se “diskutimet janë duke u zhvilluar në nivel teknik në Bruksel” dhe ai pret që ato të përfundojnë së shpejti.
Diplomatë nga shumë vende të BE-së thanë se kishte një ngurrim të përhapur që blloku të shihej sikur po dobësonte sanksionet e tij ndaj Moskës.
Vendet e BE-së kishin kërkuar në vend të kësaj zgjatjen e sanksioneve nga gjashtë muaj në një vit, ndërsa kërkojnë të ushtrojnë presion mbi Moskën.
Sanksionet e BE-së përfshijnë figura kyçe, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm Sergei Lavrov.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përditshëm, tha: “Absolutisht nuk është koha për të hequr sanksionet”.
“Absolutisht nuk është koha për të shpëtuar oligarkët rusë nga sanksionet. Dhe absolutisht nuk është koha që Evropa t’i bëjë dhurata Rusisë”, shtoi ai./ad
