Bashkimi Evropian ka prezantuar një paketë të re masash për “sovranitetin teknologjik”, me synimin për të forcuar industrinë digjitale europiane dhe për të ulur varësinë nga kompanitë e huaja, kryesisht amerikane dhe kineze.
Komisionerja e BE-së për Teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se Evropa duhet të pozicionohet më fort në zhvillimin e teknologjive të së ardhmes, duke theksuar se blloku ka talentet, bazën industriale dhe tregun e brendshëm për të konkurruar globalisht.
Sipas saj, BE duhet të shmangë varësinë nga furnizues të vetëm apo nga vende të treta, duke theksuar se në një botë ku gjeopolitika dhe teknologjia janë të lidhura ngushtë, inovacioni do të përcaktojë fuqinë e ardhshme globale.
Një nga prioritetet kryesore të paketës është industria e çipeve dhe inteligjencës artificiale, ku BE synon të rrisë ndjeshëm pjesën e tregut global deri në vitin 2030. Virkkunen tha se Evropa duhet të forcojë zinxhirët e furnizimit, të thjeshtojë procedurat e lejeve dhe të nxisë investimet në dizajnin dhe prodhimin e çipeve brenda BE-së.
Paralelisht, Komisioneri i Energjisë i BE-së, Dan Jørgensen, theksoi rëndësinë e integrimit të infrastrukturës digjitale me sistemin energjetik, duke paralajmëruar se qendrat e të dhënave po konsumojnë gjithnjë e më shumë energji në një kohë kur Evropa synon dekarbonizimin e ekonomisë.
Në kuadër të kësaj strategjie, Parlamenti Evropian ka vendosur gjithashtu të kalojë nga motori i kërkimit Google në shërbimin europian Qwant, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë.
Paketa e re përfshin gjithashtu ligje për zhvillimin e cloud-it dhe industrisë së çipeve, si dhe lehtësime për ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe përdorimin e teknologjive evropiane në kontratat publike. Propozimet do të negociohen me vendet anëtare dhe Parlamentin Evropian përpara se të kthehen në ligj./mxh