Kolonizimi i hapësirës apo i një planeti tjetër mund të tingëllojë si e ardhmja e njerëzimit, por ekspertët paralajmërojnë se riprodhimi jashtë Tokës është një sfidë serioze, plot rreziqe të nënvlerësuara. Një studim i ri, i cituar nga Gizmodo, hedh dritë mbi problemet reale që do të shoqëronin krijimin e “bebeve të hapësirës”.
Sipas një punimi shkencor të publikuar në revistën Reproductive BioMedicine Online, udhëtimet e gjata në hapësirë dhe jeta jashtë planetit Tokë mund të ndikojnë rëndë në shëndetin riprodhues të njerëzve, në zhvillimin e embrionit dhe në rrezikun për defekte të lindura.
Autorët e studimit nuk fokusohen te aspektet praktike të marrëdhënieve intime në mikrogravitet, por te pasojat biologjike të mjedisit hapësinor. Hapësira është e mbushur me rrezatim kozmik, i cili dëmton ADN-në, ndërsa mungesa e gravitetit ndikon në funksionimin normal të trupit të njeriut.
Në raport theksohet se NASA ka identifikuar pesë rreziqe kryesore të udhëtimeve hapësinore: Rrezatimin, izolimin dhe mbylljen, distancën nga Toka, mungesën e gravitetit dhe mjediset armiqësore. Edhe pse trupi i njeriut mund të përshtatet pjesërisht, disa funksione, si dendësia e kockave, metabolizmi i kalciumit dhe funksioni riprodhues, nuk rikuperohen plotësisht.
Sipas autorit kryesor të studimit, Giles Palmer, ekspozimi afatgjatë ndaj kushteve të hapësirës mund të shkaktojë dëme kumulative riprodhuese dhe rreziqe të trashëgueshme, përfshirë ndryshime epigjenetike që ndikojnë në fertilitetin dhe shëndetin e brezave të ardhshëm. Ai thekson se, edhe pse riprodhimi në hapësirë nuk rekomandohet aktualisht, është e domosdoshme të përgatiten që tani korniza të qarta shkencore dhe etike.
Ndërkohë, rrezatimi mbetet kërcënimi më i njohur, por edhe më pak i kuptuar plotësisht. Të dhënat ekzistuese sugjerojnë se ai mund ta bëjë më të vështirë riprodhimin dhe të rrisë gjasat për probleme shëndetësore te fëmijët e lindur jashtë Tokës. Efektet e mikrogravitetit, nga ana tjetër, mbeten edhe më enigmatike për shkencën.
Në këtë kontekst, Palmer nënvizon nevojën për udhëzime etike të qarta që garantojnë pëlqimin e informuar, transparencën, barazinë gjinore dhe mbrojtjen e brezave të ardhshëm – një debat që lidhet drejtpërdrejt edhe me ambiciet e figurave si Elon Musk, i cili promovon fuqishëm kolonizimin e Marsit.
Sa i përket jetës intime në hapësirë, zyrtarisht institucionet preferojnë të mos flasin. Megjithatë, dihet se astronautët në Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës kanë hapësira private minimale, çka e bën të mundur njëfarë privatësie edhe në mikrogravitet. Detajet mbeten të paqarta, por një gjë është e sigurt: krijimi i jetës jashtë Tokës është shumë më kompleks dhe i rrezikshëm sesa duket në teori./kb
