Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në komunat arbëreshe të Rajonit Molise në Itali, ku u prit me nderime të larta shtetërore nga përfaqësuesit më të lartë të institucioneve vendore të këtij rajoni.
“Kënaqësi të takohem me autoritetet e larta të Rajonit të Molises”, deklaroi Presidenti Begaj, duke ndarë vlerësimin se çdo takim me autoritetet italiane mbart këtë frymë miqësie që karakterizon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh në të gjitha fushat: politikë, ekonomi, kulturë, arsim, shendetësi, e të tjera. Një kontribut të posaçëm në forcimin e vazhdueshëm të lidhjeve historike, kulturore dhe njerëzore ndërmjet dy vendeve kanë dhënë komunitetet arbëreshe dhe Diaspora e re shqiptare.
Kreu i Shtetit theksoi se “Shqipëria–Italia–Arbëria” është një projekt që e përforcon partneritetin strategjik mes dy vendeve tona dhe nxit bashkëpunime të reja në fusha me interes të ndërsjellë.
Në komunën arbëreshe Ururi, Presidenti Begaj mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të statujës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një simbol i përjetshëm i unitetit dhe krenarisë sonë kombëtare. /K.M
