Nga Arben Jaupaj
Dita Botërore e Qyteteve e cila festohet ose përkujtohet më 31 Tetor prej vitit 2014 synon të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar për trendet, sfidat dhe vizionet e urbanizimit për zhvillim të qëndrueshëm urban. Më 31 Tetor 2025, Bogota e Kolumbisë do të jetë qëndra ndërkombëtare e reflektimit mbi të ardhmen urbane, ndërsa pjesa tjetër e botës do të kremtojë Ditën Botërore të Qyteteve nën temën “Qytetet inteligjente të fokusuara te njerëzit”. Kjo nismë nxit diskutime dhe ide se si teknologjia, automatizimi i të dhënave dhe inteligjenca artificiale mund të shërbejnë për t’u dhënë më shumë frymëmarrje qyteteve tona, për t’i bërë ato më të barabarta, më të begata dhe gjithëpërfshirëse. Njëkohësisht me më shumë mundësi për t’u ofruar banorëvë të tyre,cilësi më të lartë jetese.
Në këtë periudhë zhvillimi të vrullshëm urban e digjital, qytetet gjithnjë e më shumë po përqafojnë potencialin e teknologjive të reja për t’u përballur me sfidat që sjell jeta moderne. Tema e këtij viti, e përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, nënvizon rëndësinë e vënies së njeriut në qendër të zhvillimit teknologjik dhe aksesueshmërisë, duke ftuar qytetet të ndajnë mes tyre përvoja, ide dhe praktika që ndihmojnë në krijimin shërbimeve më të mira për qytetarët.
Në qytete me specifika kulturore dhe ekonomike, si Berati, në të cilin kultura dhe ekonomia konvergojnë te turizmi, trendi i “Smart City”-t, qytetit inteligjent të fokusuar tek njeriu përputhet njëkohësisht me zhvillimin me fokus turistin. Në këtë ditë që frymëzon ide sesi teknologjia dhe qyteti mund të ndërlidhen nëpërmjet shpirtit novator të njeriut, teksa zhytesh në lexime të dhënash dhe prognozash, nuk mund të mos të shkosh me penë atje ku shkon me mendje, të mos ta kthesh reflektimin në disa rreshta për qytetin ku jeton, në këtë ditë të kushtuar atij.
Berati ka pësuar ndryshime të dukshme këto vite. Turizmi po e transformon në vazhdimësi jetën sociale. Kudo janë hapur ambjente shërbimi, restorante, hotele, oda, pika informacioni, kafeteri, muzeume të vogla private, agjenci turistike, shërbime taksie dhe lavanderie, dyqane artizanati dhe produktet turistike të ofruara vetëm shtohen. Qyteti ka filluar të jetojë me pulsin e turizmit. Bashkia e qytetit ka arritur nëpërmjet angazhimit të energjive rinore ta kthejë optimizmin. Megjithë vështirësitë e rritjes, optimizmi është kapitali më i çmuar që posedon qyteti aktualisht, dhe është optimizëm rinor.
Reklamat, koncertet, ndriçimi dhe zbukurimi i qytetit, fryma bashkëpunuese e bizneseve dhe qytetarëve, disa arritje të komunitetit të koncentruara në performanca suksesi të bashkisë me ekipet e palodhura rinore, kanë sjellë rritje të fluksit të turizmit. Kanë sjellë edhe kthimin në histori suksesi të festivaleve dhe konkurseve kombëtare letraro-teatrore, festivaleve të verës dhe festave agro-turistike në periferinë e gjallëruar të bashkisë. Ato kanë gjallëruar çlirimin e kapitaleve nga investues të mesëm dhe të vegjël, qytetare të cilët po lidhen dita -ditës me kulturën e tregut turistik dhe qytetin e tyre.
Transporti ekologjik ështe një nga rekomandimet kryesore të Unesco-s drejt qytetit “Inteligjent” të fokusuar tek njeriu. Shumë zhvillime nërajon janë orientuar drejt këtij trendi. Në bashkëpunim me aktorë të tjerë, bashkia e Beratit ka realizuar hapa në zhvillimin e transportit ekologjik duke futur në shërbim për sezonin e ardhshëm autobusë elektrikë në shërbimin urban. Por ai duhet të jetë edhe “Inteligjent”, sikundër qyteti i dëshiruar.
Transporti është limfa e trupit të qytetit. Një sistem “Smart” i lëvizjes urbane e kthen një rutinë në përvojëurbane. Stacionet e urbanit mund të kenë panele digjitale që të shfaqin oraret e mbërritjes së autobusave dhe kohën (e përafërt) të mbërritjes në stacionin e rradhës. Autobusat mund të kenë fare mirë të integruar në brendësi, sisteme elektronike të automatizuara, që ofrojne lajmërime në shqip dhe anglisht, të kenë QR Cod-e të aksesueshme nga turistët, nga skanimi i të cilave cdo vizitor disponon në telefon paketën e informacionit bazik, hartuar nga specialistët e turizmit. Autobusët dhe stacionet e tyre mund të ndërlidhen me mjete të tjera të transportit inteligjent dhe ekologjik, atje ku e lejon hapësira mund të instalohen gjatë sezonit platforma mbajtëse të bicikletave të thjeshta ose elektrike të parapagueshme, projekte të tilla janë zbatuar më parë në qytete të tjera, nga përvoja e tyre duhet mësuar.Në këtë mënyrë, transporti “Inteligjent” nuk ngelet çështje infrastrukture, por bëhet pjesë e një filozofie urbane, rrit ndërthurjen e individit me qytetin, duke menaxhuar kohën më mirë ai e kthen lëvizjen nga lodhje në kënaqësi dhe për turistin në një moment eksplorimi të qytetit. Projektet e bashkisë për shtigjet e reja çiklistike, drejt kalasë dhe segmenteve panoramike, sikundër implementimi po sezonin e ardhshëm të sistemeve të integruara me kamera dhe sensorë për realizmin e “Smart Parking” në hapësirën e kalasë, janë veç pulsime optimizmi për qytetin e dashur.
Paketat bazike kanë filluar të shoqërohen, fillimisht në diskutime dhe ide-projekte nga ekipet rinore të bashkisë dhe muzeumeve, dhe më pas natyrshëm të materializohen me oferta më të diversifikuara nga produktet që mund të ofrohen. Thelbi i realizimit të tyre do të jetëkoncepti i integrimit si bashkëpunim institucion publik -biznes privat.Ato duhet të synojnë rritjen e larmisë dhe numrit të organizimeve tëvogla low-cost dhe kreative, nëpër hotelet dhe odat e pritjes, portikët dhe lokalet, sheshet dhe rrugicat që frekuentohen nga turistët. Njëprojeksion i një filmi komedi shqiptare me titra në anglisht, njëmandolinatë solo, një kuartet instrumental, një mësues vallesh shqiptare nën muzikën e një fonie portative, një sallon ku ofrohet një fotografi artistike me veshje popullore, një mësim dollie në restorantin X, një karaoke mikse në lokalin Y etj., janë organizime që shtojnë dhe plotësojnë ofertën turistike krahas eventeve të mëdha dhe spontaneitetit të vizitorëve. Disa nga këto ide po praktikohen me sukses të plotë nga hotelierë, operatorë dhe guida turistike. Evente argëtuese të tilla nuk ka pse mos të jenë pjesë e kalendarit të subjekteve pritëse, të integruara në ofertën dhe kalendarin e bashkisë.
Përvojat e personalizuara ose qyteti që flet me secilin vizitor, janë njëtjetër fushë veprimi e kreativitetit të profesionistëve të rinj dhe optimistë të qytetit tonë. Mundësitë e realizimit janë ende të hapura. Aplikacione të ndryshme mund të ofrohen dhe pasi çdo vizitor përmbush aplikimin, përfton sipas të dhënave të ofruara, një guidë të personalizuar me rekomandime per aktivitete kulturore, restorante, muzeume, trekking në periferi, të dhëna për parkimet, oraret më të qeta për të vizituar zona të caktuara etj. Informacione që ia bëjnë itinerarin unik dhe më të këndshëm qëndrimin. Mbledhja e të dhënave krijon një “hartë” të vlefshme për bazën e të dhënave që mund të aksesohet nga menaxherët turistikë.
Përvojat e personalizuara mund të pasurohen më tepër nëse në lojë hyn teknologjia që sjell “Realitetin e Shtuar”. Inteligjenca artificiale mund ta bëjë që një ndërtesë e vjetër të shfaqet në ekranin e telefonit siç ka qenë shekuj më pare, një rrugicë e harruar mund të tregojë rrëfimet e banorëve që s’janë më. Mund të “rikthehen” me ndihmën e saj ngjarje kulturore si krijimi i një afresku bizantin nga mjeshtrit ikonografë beratas, me ditët kur qyteti ishte “kryeqytet” në fund të Luftës së Dytë Botërore, të rikthejë në realitet legjendën e krijimit tëw qytetit e shumë info të ndryshme duke bërë që turisti, jo vetëm ai i huaj, të mësojë nëpërmjet përjetimit emocional që vetëm “Augmented Reality” ia mundëson.
Fillimi i implementimit nga ana e bashkisë i projekit të rrjetit Wi-Fi që do mbulojë gjithë zonën muzeale, do krijojë interesa për të rinj entuziastë, të konkurrojnë në krijimin e app-eve të aksesueshme në telefonat celularë dhe numrat telefonikë që kanë filluar të jepen në masë nga operatorët turistikë vendas.
Një tjetër zhvillim me interes për qytetin tonë ishte dëgjesa publike në bashki para disa ditësh mbi draftin e Planit të Menaxhimit të Integruar(PMI), të hartuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës bashkë me ekspertë të fushave të ndryshme, shqiptarë dhe të huaj. Nga konsultimi i dokumentit, kuptohet edhe pa qënë inxhinier ose arkitekt se është është një dokument i hartuar më nivel të lartë profesionalizmi dhe përgjegjësie. Aty flitet konkretisht për konservimin dhe zhvillimin e pjesës muzeale, sipas standarteve bashkëkohore dhe konform detyrimeve që rrjedhin nga UNESCO-ja. Filozofia e hartim-zbatimit të këtyre projekteve në shoqëritë demokratike, ngërthen bashkëpunimin me komunitetin si një element thelbësor, pavarësisht kompleksiteteve ligjore -teknike, kjo është e shprehur dhe vlerësuar qartësisht nëbrendinë e projektit. Në po këtë frymë, ndoshta një të nesërme, aktorët e përfshirë në zhvillimin urban të qytetit do të mund të ri-vlerësojnë arkitekturën e fasadave të zonës tampon, më konkretisht të kodrinave të banuara në pjesën në veriore të qytetit. Ato janë vazhdimësi lineare e lagjes “Mangalem”, lagje më të reja në kohë, pavarësisht se ka ende ndërtime të vjetra mes tyre, por tash prezantohen me ndërtime të çrregullta, diku me dy e diku me tre kate, diku me çati dhe diku tjetër me tarracë, me fasada me ngjyra të ndryshme ose të pasuvatura, me orientim të paqartë në raporte njëlloj si me zonën muzeale edhe me qytetin e ri.
Sistemimi i fasadave, me një trajtë uniformizimi estetik, subvencionimi i familjeve për të mbjellë dy-tre pemë të njëjta në obor, shegë që çelin lule në pranverë ose portokalle që mbushin degët në vjeshtë, vendosja e një sistemi ndriçimi unik në çdo rrugicë, në përputhje më rrjetin e ndriçimit të qytetit, do ta përmirësonte arkitekturën urbane, duke e bërë më të pëlqyeshme për banorët dhe vizitorët dhe duke realizuar harmonikisht kalimin nga qyteti muzeal drejt qytetit modern, që është edhe filozofia e zonave të ndërmjetme. Këto mendime janë diskutime të hershme në qytetin tonë, “arredimi” i kësaj hapësire i jep më shumë kohezion arkitekturës qytetare. Por s’ka pse të mos jetë edhe në përputhje me “arkitekturën” shpirtërore të Beratit, pasi do krijojë dhe përcjellë tek banorët e rinj dhe të vjetër të qytetit, vizitorët vendas dhe të huaj, një ndjenjë estetike që shkon në sinkron perfekt si me ansamblin muzeal ashtu dhe me qytetin “Inteligjent” të fokusuar tek njeriu.
Dita Botërore e Qyteteve, Beratin e gjen të qetë, me vjeshtën e vonë që ndihet rrugëve të qytetit, të mbushura ende me turistë nga e gjithë bota. Qyteti shikon nga e ardhmja, të rinjtë që po kthehen nga studimet jashtë shtetit, ndërmjet tyre edhe kryetari i bashkisë, janë garancia e tij. Investimet, ndërtimet, ndryshimet e prekshme, qyteti “Inteligjent” që po fillon të pulsojë, nuk janë gjithçka. Optimizmi i banorëve të tij është ftesa më e mirë për vizitorët që ai pret.
