Last Updated on 12/03/2026 by Anisa
Pak para nisjes së seancës plenare në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha ka folur para mediave për synimin e zhvillimit të protestës së sotme nga opozita.
Ai vë në dukje se gjithashtu, opozita do votojë mbi heqjen e mandatit të Belinda Ballukut.
“Heqja e Edi Ramës është zgjidhja e vetme e kësaj gjendje dhe situate dramatike që përjeton vendi.
Nuk ka sot një kryeministër të poshtëruar para botës si Rama. Po përdor ligjet, Kushtetutën për të mbrojtur vjedhjen e tij. Po mbyll dyert e Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Sot jemi këtu për të shprehur mendimin e qytetarëve shqiptarë, do votojmë në unison për heqjen e mandatit dhe arrestimin e Ballukut, por këto nuk janë zgjidhja e krizës. Largimi i Ramës është zgjidhja”, tha Berisha.
Pjesë nga Raporti i PD:
Në përfundim të këtij verifikimi, rezulton në mënyrë të përmbledhur se:
1. Provohet se ekziston një procedim penal i ligjshëm dhe se në rastin konkret jemi përpara prezumimit bazik që imuniteti duhet të hiqet sepse nuk ka asnjë pretendim apo arsye të besohet se akuzat kundër deputetes Balluku janë të motivuara politikisht. Madje edhe vetë ajo, përmes avokatëve të saj, e konfirmon një fakt të tillë.
2. Provohet “dyshimi i arsyeshëm” i bazuar në prova. Prokuroria tregon në mënyrë të qartë se ekziston dyshimi i arsyeshme dhe ai bazohen në një set provash që janë depozituar bashkëlidhur kërkesës dhe relacionit shoqërues, gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.
3. Provohet rreziku për procedimin penal. Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputetja Belinda Balluku. Pozicioni i saj si deputet i mazhorancës, ish-Zëvendëskryeministër dhe ish-ministër; lidhja e ngushtë me një numër të konsiderueshëm të ministrave aktual në detyrë apo funksionarë të lartë të administratës pubike (drejtorë të përgjithshëm të promovuar në detyra prej saj), është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së saj për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal. Për më tepër, gjatë mbledhjes së Këshillit të datës 23.02.2026, prokurorët sqaruan më tej këtë rrezik, duke theksuar dhe paraqitur provat përkatëse se deputetja Belinda Balluku është përpjekur të ushtrojë presion mbi dëshmitarët, përmes dy formave: (1) Përmes “të fortëve”, për të cilët prokuroria deklaroi se po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar, verifikim që mbulohet nga sekreti hetimor; (2) përmes zyrtarëve publikë, pjesë e kabinetit të ministres, të cilët, ose kanë shantazhuar për shkarkime nga puna ndaj familjarëve, ose kanë ofruar para në këmbim të ndryshimit të dëshmive dhe avokatit.
4. Provohet nevoja e kryerjes së veprimit nga ana e prokurorisë, në kuadër të përshtatshmërisë së masës së kërkuar. Prokuroria, në kërkesën e saj dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit, tregoi qartë se cdo masë tjetër, vec asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprës penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të personalitetit kriminal të deputetes Belinda Balluku. Në këtë drejtim, duhet të evidentohet se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, për shkak të përsëritjes në vazhdimësi të të njëjtës vepër penale, duke dëmtuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, nevojat e sigurimit janë rënduar për personin nën hetim dhe të pandehurën Belinda Balluku. Është fakt që prokuroria nuk ka kërkuar masë sigurimi në momentin që deputeti Belinda Balluku është marrë i pandehur për një fakt penal – Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë. Mё pas, ka lindur nevoja për caktimin e masës së sigurimit, sepse ajo ka marrë cilësinë e personit nën hetim për një tjetër fakt penal – Ndërtimi i Lotit të 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, ku prokuroria dhe gjykata, në respekt të parimit të përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit personal, kanë kërkuar dhe caktuar një masë të lehtë të sigurimit personal, atë të “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe të masës ndaluese të “Pezullimit të ushtrimit të një funksioni a shërbimi publik”, e cila ka mbetur e pazbatueshme për shkak të shkarkimit të saj nga detyra. Mё pas, në ngarkim të deputetit Belinda Balluku janë atribuuar edhe 6 fakte të reja penale dhe indicie të mjaftueshme për 3 fakte të tjera penale, dhe kjo ka diktuar nevojën e prokurorisë për të kërkuar autorizimin nga Kuvendi i Shqipërisë për të lejuar paraqitjen në gjykatë të kërkesës për caktimin e masës “arrest në burg” apo “arret në shtëpi”. Për më tepër, mos kryerja e veprimit mund t’i japë mundësi të pandehurës që të dëmtojë hetimet dhe të pengojë drejtësinë. Është kompetencë e prokurorisë dhe gjykatës që më pas të vlerësojnë në mënyrë periodike vijimin ose jo të nevojave që diktojnë kryerjen e një veprimi të caktuar në mbrojtje të hetimeve.
5. Provohet përmbushja e të gjitha kritereve të përcaktuara nga Komisioni i Venecias për heqjen e imunitetin. Deputeti Belinda Balluku, përmes avokatëve të saj, nuk ngriti asnjë pretendim se ndodhemi përpara ndonjë prej kritereve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias për mbajtjen e imunitetit dhe konkretisht: kur pretendimet janë qartazi dhe haptazi të pabazuara; kur shkelja e pretenduar është një pasojë e paparashikuar e një veprimi politik; kur pretendimet janë paraqitur qartësisht për motive politiko-partiake (fumus persecutionis) me qëllim shqetësimin ose intimidimin e deputetit ose ndikimin tek mandati i tij; kur procedurat ligjore mund të rrezikojnë seriozisht funksionet demokratike të parlamentit ose të drejtat themelore të një deputeti ose grup deputetësh. Në mungesë të këtij pretendimi, Kuvendi nuk mund të dalë jashtë vlerësimit të këtyre kritereve dhe është i detyruar të votojë pro heqjes së imunitetit, për shkak se provohet që përmbushen kriteret e Komisionit të Venecias për heqjen e imunitetit si më poshtë: (i) Heqja e imunitetit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit; (ii) kërkesa për dhënie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e Prokurorisë se bazohet në shkaqe të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta; (iii) Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) është veçanërisht e rëndë, për shkak se ajo është e përsëritur në 11 fakte penale, me një dëm të konsiderueshëm financiar dhe për një fond publik me vlerë jashtëzakonisht të lartë – 1.1 miliard euro; (iv) Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqja e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentare; (v) Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë, e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë; (vi) Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e Parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera, për shkak se shkelet pa asnjë motiv ligjor parimi kushtetutes i barazisë përpara ligjit dhe parimi i ndarjes e balancimit mes pushteteve.
6. Provohet përmbushja e të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore të caktimit të masave të sigurisë, të parashikuara nga nenet 228, 229, 230 dhe 260 të Kodit të Pocedurës Penale. Konkretisht: i. Deputeti Belinda Balluku nuk ndodhet në kushtet e ndalimit të parashikuara në pikën 1, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit “I. Askush nuk mund t’u nënshtrohet masave të sigurimit personal në qoftë se në ngarkim të tij nuk ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në prova.”. Dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale në të paktën 11 fakte penale ekziston dhe ai është i bazuar në prova (80 prova) që prokuroria i ka paraqitur në mënyrë shteruese në Kuvend.
v. Deputeti Belinda Balluku përmbush të gjitha kushtet për caktimin e masve të sigurimit penal, të parashikuara në pikën 3, të nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale sepse: a) prokuroria provoi se ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës, bazuar në rrethana fakti; b) ekziston rreziku që ajo të largohet, për shkak se rrezikon një dënim të rëndë për një krim të rëndë; c) për shkak të rrethanave të faktit (përsëritjes së krimit) dhe personalitetit të të pandehurit (dyshohet për kryerjen e veprave penale në 11 raste) ka rrezik që ajo të kryejë krime të rënda ose të të njëjtit lloj me atë për të cilin procedohet (tentativa për pengimin e drejtësisë përmes intimidimit të dëshmitarëve tashmë ka ndodhur dhe po hetohet nga prokuroria). Në kërkesën për autorizim prokuroria ka argumentuar se në kërkesat e saj për caktimin e masave të sigurimit ka mbajtur parasysh përshtatshmërinë e secilës prej tyre me shkallën e nevojave të sigurimit që duhen marrë në rastin konkret, duke përmbushur kështu kushtin e përcaktuar në pikën 1, të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penale. Është fakt që prokuroria dhe gjykata kanë respektuar deri më tani parimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të masave të sigurimit perosnal. Në këtë mënyrë, Prokuroria përmes veprimeve konkrete të përshkallëzuara, ka respektuar kërkesat e pikës 2 të nenit 229 të Kodit të Procedurës Penal, sipas të cilës “2. Çdo masë duhet të jetë në raport me rëndësinë e faktit dhe mе sanksionin që parashikohet për veprën penale konkrete. Mbahen parasysh edhe vazhdimësia, përsëritja, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese të parashikuara nga Kodi Penal.”. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurimit “Ndalim i daljes jashtë shtetit” me ato të “Arrestit në burg” apo “Arrestit në shtëpi”, ka ndodhur kur rëndësia e faktit penal është rritur (nga 2 fakte penale, tashmë është nën hetim për 11 fakte penale – nga të cilat për një ka statusin e të pandehurit, 7 ka statusin e personit nën hetim, ndërsa për 3 të tjera ende nuk ka një status të konfirmuar procedural, por veprimet/mosveprimet janë në proces hetimi paraprak); sanksioni për dënimin e mundshëm ka shkuar potencialisht nga maksimumi në 10 vjet, në maksimumi në 35 vjet; është vërtetuar vazhdimësia dhe përsëritja, si dhe ekzistenca e rrethanave rënduese të parashikuara nga Kodi Penal (veprat penale dyshohen se janë kryer në bashkëpunim)
Përsa i përket setit të plotë të povave (gjithësej 80 prova, të ndara në 12 volume – dërguar në mënyrë elektronike), ato mund të tërhiqen, ashtu sic Prokuroria e Posacme konfirmoi në mbledhjen e datës 19.12.2025, pas nënshkrimit nga secili deputet të “Deklaratës së ruajtjes së sekretit hetimor” të Prokurorisë së Posacme, pranë Sekretarisë së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, që vepron sipas udhëzimeve të Kryetarit të Këshillit – Kryetarit të Kuvendit z. Niko Peleshi. Dëshirojmë të theksojmë se kërkesa e Prokurorisë i është drejtuar të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë (jo vetëm anëtarëve Këshillit) dhe Prokuroria konfirmoi se provat janë të detyrueshme që të jenë pjesë e praktikës parlamentare të secilit deputet dhe se nuk ka asnjë pengesë ligjore nëse përmbushet kushti për ruajtjen e sekretit hetimor (nënshkrimi i deklaratës përkatëse)
