Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dalë në një konferencë për mediat këtë të hënë, vetëm pak orë përpara protestës kombëtare që pritet të zhvillohet pasditen e sotme përpara godinës së Kryeministrisë. Gjatë fjalës së tij, Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen, por jo vetëm. Edhe liderët e partive të tjera opozitare.
“Këto pak orë që na ndajnë nga protesta që inauguron fillimin e betejës për përmbysjen përfundimtare të Edi Ramës dhe narkoshtetit të tij, ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, të dalin në sheshin e betejës. Të vijnë në Tiranë. Të bindim çdo shqiptare dhe shqiptar se një mision i madh na pret. Se ky mision është shansi i jetës për çdo qytetar të këtij vendi. Shansi i përmbysjes njëlloj si në Bangladesh, Nepal, Sri Lanka të diktatorëve autokratë, të cilët pasi vjedhin dhe plaçkisin miliarda kombet e tyre, ia mbathin si armiq në vende të tjera. 22 dhjetori është një ditë e shënuar. Është një ditë që fton çdo shqiptar. Ftoj të gjitha forcat politike opozitare, të gjithë ata që ndjehen opozitarë, pavarësisht nga dallimet që kemi, të bashkohemi sot, për t’u dëshmuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka forcë që na ndalon dhe na pengon pa përmbysur regjimin më armiqësor, më të keq që shqiptarët kanë njohur në histori.
Unë kam besim të madh se Tirana po zien, se Shqipëria po zien dhe se protesta e sotme do të shënojë kthesën e madhe. Do të shënojë kthesën drejt fitores të çdo qytetari të këtij vendi për dinjitetin e tij, për familjen e tij, për të ardhmen, por edhe për vendin dhe kombin e tij.”, tha Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me skenarin e protestës së sotme, kryedemokrati nuk dha detaje por tha se protesta e sotme duhet të shihet si një proces deri në rrëzimin e kryeministrit Rama.
Partia Demokratike zhvillon sot, më 22 dhjetor, protestën shumë të paralajmëruar kombëtare, përpara godinës së Kryeministrisë, ku kërkon dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pritet të ketë një pjesëmarrje më të madhe të mbështetësve të opozitës, në krahasim me pesë protestat e mëparshme, të zhvilluara në formën e një “foltoreje“.
Protesta e sotme vjen pas deklaratave të forta të kreut të PD-së, i cili më 20 dhjetor paralajmëroi se kjo do të jetë vetëm fillimi i një rezistence më të gjerë për rrëzimin e qeverisë Rama. Në një komunikim me mbështetësit e tij, Berisha nuk përjashtoi as nisma të tjera paralele, përfshirë akte ekstreme të ngujimit apo edhe qëndrimin e deputetëve në Parlament./kb
