Last Updated on 27/04/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria duhet të intensifikojë bashkëpunimin në funksion të integrimit në Bashkimi Evropian, duke theksuar se ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe në interesin e qytetarëve shqiptarë.
Sipas Berishës, një qasje e tillë është jo vetëm në të mirë të Shqipërisë, por edhe në interesin e vetë BE-së. “Integrimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë. Ky është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë dhe i Bashkimit Evropian,” u shpreh ai.
Duke ndalur te roli i Bundestagu, Berisha vlerësoi se parlamenti gjerman ka ndjekur në mënyrë serioze dhe dashamirëse procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit. Ai theksoi se edhe në periudha skepticizmi, Bundestagu ka këmbëngulur që procesi të vijojë mbi bazën e meritës.
Berisha solli në vëmendje edhe planet e mëparshme të lidhura me integrimin e vendeve të rajonit, duke përmendur dokumente me kërkesa të qarta për Serbinë. Sipas tij, nëse këto plane do të ishin zbatuar, Serbia sot mund të ishte pjesë e BE-së. Ai shtoi se edhe Shqipëria do të ishte shumë më pranë anëtarësimit nëse do të ishin përmbushur kërkesat përkatëse.
“Ramë dakord që të intensifikojmë bashkëpunimin në interes të vendit për BE. Ky duhet të jetë një proces i bazuar në meritë, që është interesi absolut i qytetarëve shqiptarë. Është interesi absolut i BE. Integrimi duhet të jetë një proces i bazuar në meritë.
Bundestagu ka ndjekur në mënyrë serioze dhe dashamirëse procesin e integrimit të Shqipërisë dhe rajonit në BE. Edhe në kohët e skepticizmit, ky institucion insistoi që procesi të vijojë i bazuar në meritë.
Kërkesat e plani prej 13 pikash për Beogradin ishin një dokument historik, nëse do i ishte përmbajtur Serbia do të ishte pjesë e BE. Plani me 15 pika, nëse do të zbatohej, do të ishim ndoshta afër vendit anëtar ose do të ishim anëtarësuar. Kanë pasur interesa shumë serioze. Përpjekja jonë është, Bundestagu të ruajë interesin që ka patur për këtë proces jetik për shqiptarët.
Jemi forcë politike që kemi objektiv kryesor integrimin në BE”, tha Berisha.
