Last Updated on 02/12/2025 by Monika
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se qeverisja socialiste mbështetet vetëm në dy mekanizma, drogën dhe varfërinë, të cilat, sipas tij, po përdoren për të mbajtur pushtetin.
Gjatë një takimi me demokratët e Degës 9 në Tiranë, Berisha akuzoi mazhorancën se ka shkaktuar shkatërrim më të madh se “çdo pushtim tjetër”, ndërsa e cilësoi gjendjen aktuale politike si një regjim që shtyp pluralizmin.
Në fjalën e tij, ai u ndal veçanërisht te rënia e ndjeshme e lindshmërisë dhe largimi masiv i të rinjve, të cilat i cilësoi si rreziqe serioze për të ardhmen e kombit.
“Përulem me mirënjohje ndaj përpjekjes suaj përballë një regjimi që ka shkretuar këtë vend më shumë se çdo pushtim. Kemi arritur në pikën ku vendi gjendet përballë alternativës ‘të jesh apo të mos jesh’. Shqipëria ka sot nivelin e lindshmërisë që kishte një shekull më parë, më të ultën në botë, si pasojë e largimit të të rinjve. Nëse ky trend vijon, dekadat e ardhshme do të na gjejnë me gjysmë milioni më pak banorë,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se sistemi aktual është “diktatorial në praktikë”, pavarësisht pranimit formal të pluralizmit, dhe se qeveria mbështetet “vetëm te droga dhe varfëria” për të ruajtur pushtetin./mxh
