Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal pasditen e sotme në Kamës, për takimin e radhës si pjesë e turit të ‘Foltores’.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si armikun më të egër të votës të lirë, ndërsa qeverisjen socialiste që merr nga paratë e shqiptarëve si shushunjë.
Sipas kryedemokratit, shqiptarët janë përballë një regjimi që qeveris me klanet më të fuqishme të drogës ne Europë dhe botë.
“I keni fituar zgjedhjet, por armiku më i egër i votës së lirë të shqiptarëve pas Enver Hoxhës, Edi Rama, ka shndërruar procesin zgjedhor në farsë zgjedhore, në farsë elektorale. Ka krijuar në fushatë elektorale tregun më të zi të të gjitha tregjeve, që është tregu i votës, tregu i vullnetit, tregu i idealeve të njerëzve. Ka përdorur të gjitha metodat antidemokratike, antikushtetuese për të plaçkitur votën e qytetarëve. Sot ne kemi përballë një regjim, që qeveris me klanet më të fuqishme të drogës në Europë dhe ndër më të fuqishmet në botë. Klane që lëvizin miliarda. Kjo është gjysma. Gjysma tjetër e rëndë është se të gjitha paratë e krimit dhe drogës shndërrohen në vota dhe votat shndërrohen në krim dhe drogë. Çfarë ndodh me paratë e buxhetit? Paratë shndërrohen në votë. Çfarë ndodh me ne, paratë tona dhe djersën tonë? Ata marrin paratë si shushunja kundër jush. Kjo është situata”,-tha Berisha./mxh
