Last Updated on 25/11/2026 by Monika
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke komentuar situatën e zhvlerësimit të euros, ka sulmuar Bankën e Shqipërisë.
Sipas Berishës, Banka Qendrore ndërmori politika të gabuara monetare dhe heshti ndërkohë që vendi mbushej me thasë parash të fshehura nëpër kontejnerë.
Sipas tij, Banka është aleate e Ramës dhe bashkëfajtore e bashkëpunëtore në krimin monstruoz të destabilizimit të kursit monetar.
Për Berishën, drama, përveçse nga vërsulja e trafikantëve, është shkaktuar edhe nga punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të cilët i atakon për faktin se duhet të ishin të parët që të paralajmëronin pasojat e fenomenit dhe të ndërmerrnin masa, mirëpo ata zgjodhën të fshehin të vërtetën për shqiptarët.
“Banka e Shqipërisë, me heshtjen e saj kriminale, me dështimin e saj të plotë me garantimin e një kursi monetar stabël, me politikën e gabuar monetare, bëhet bashkëpunëtore në këtë dramë, në këtë krim monstruoz.
Duhet të ishte e para që t’iu binte këmbanave të alarmit.
Përfaqësuesit e saj në studio fshehin të vërteta në sy të shqiptarëve.
Turizmi thotë, ndërkohë që vetë Banka, që kur nuk do të donim ta atakonim, është ajo që ka krijuar këtë grafik që tregon se kursi i euros ishte 1 me 120 lekë në vitin 2007 dhe kishte 1.2 milionë turistë.
Ndërsa tani, me 12 milionë turistë, kursi nuk ndryshoi, mbeti euro si me qenë me 1 milionë turistë.
Grafikun e bënë punonjësit e bankës që bëjnë detyrën, tregojnë të vërtetën.
Kur trafikantët u vërsulën me miliardat e eurot drejt vendit, euro theu qafën.
Banka përgënjeshtron veten, turpërohet dhe nuk thotë të vërtetën, në një kohë që me mijëra ndërmarrje eksporti falimentojnë.”, tha Berisha./Mxh
