Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është zgjedhur nënkryetar (Zv/President) i Internacionales Demokratike Qendrore (CDI), organizata më e madhe botërore e partive të qendrës së djathtë. Zgjedhja u bë gjatë Asamblesë së CDI-së të mbajtur në Sao Paolo të Brazilit, ku u miratua edhe drejtimi i ri i unionit.
Në strukturat drejtuese të CDI-së u zgjodhën gjithashtu figura të rëndësishme politike europiane, si kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i ardhshëm i Sllovenisë Janez Janša dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán. Antonio Lopez-Isturiz White u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, ndërsa Presidenti Andres Pastrana u rizgjodh në krye të organizatës.
CDI përfshin 115 parti të qendrës së djathtë nga Evropa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Azia, mes të cilave edhe forca që qeverisin disa nga vendet më me ndikim në botë.
