Last Updated on 25/07/2026 by Anisa
Besën e dhënë nga Edi Rama për bulevardin e flamingove, Sali Berisha e sheh si cinizëm dhe dyfytyrësi të Kryeministrit.
“Një njeri që injoroi “de facto” totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve që po bëhen prej dy muajsh. Kërkesat më themelore të kësaj proteste janë pesë pikat, nga të cilat e para është “Edi Rama jep dorëheqjen të parevokueshme”, tha Berisha.
Qasjen e PS-së për të vijuar pa konsensus me Reformën Territoriale, e konsideron provokim të Ramës: “Ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”.
I pyetur për imunitetin nga arrestimi që kërkon Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, shprehet i habitur, por po verifikon legjislacionin europian. Kritik është për heshtjen që thotë se Banka ka ndaj rënies së euros:
“Guvernatori i bankës dhe bordi, nëqoftëse ka bord, se është organizatë e Partisë Socialiste tani, duhet të kenë minimumin e përgjegjësisë dhe të ndërgjegjes për këtë dramë që ndodh nga narko-euro”.
Mbi zhvillimet në PD, pranoi se hapja e partisë u vonua për shkak të arrestimit të tij, çfarë nuk lejoi promovimin e shumë të rinjve që sot kanë pozicione kyçe, por perceptohen si të panjohur nga baza: “Partia Demokratike në kalvarin e saj humbi disa proporcione që i ka pasur të lindura, native, të saj. Kjo ripërtëritje solli gjithashtu rivendosjen e proporcioneve të duhura në parti. Ne jemi parti kombëtare dhe kjo u realizua”.
Berisha garantoi se hapa të tjera të rëndësishëm do të ndërmerren për të ripërtërirë Partinë Demokratike./ad
