Bilanci zyrtar i viktimave nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara mund të jetë vetëm maja e ajsbergut. Sipas një studimi të ri të publikuar në Science Advances, mbi 155 mijë vdekje të ndodhura mes marsit 2020 dhe dhjetorit 2021 nuk janë regjistruar kurrë si pasojë e virusit, edhe pse në realitet shkaktuesi ishte infeksioni.
Duke përdorur algoritme të avancuara të machine learning, një ekip studiuesish i udhëhequr nga Mathew V. Kiang analizoi certifikatat e vdekjes në SHBA dhe zbuloi se numri real i viktimave është 19% më i lartë se ai i raportuar nga autoritetet.
Për të arritur në këtë përfundim, studiuesit trajnuan një inteligjencë artificiale mbi të dhënat e vdekjeve që ndodhën në spitale, ku testimet për COVID-19 ishin pothuajse universale. Algoritmi mësoi të identifikojë karakteristikat klinike dhe demografike që lidhen me vdekjet nga COVID-19.
Më pas, inteligjenca artificiale analizoi vdekjet jashtë spitaleve – në shtëpi private ose në azile – ku testimet mungonin dhe diagnozat shpesh ishin të pasakta. Rezultati është i frikshëm: vetëm për vdekjet në shtëpi, numri real i viktimave nga COVID-19 mund të jetë 160% më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht. Shumë prej këtyre rasteve janë regjistruar gabimisht si pasoja të diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare ose Alzheimerit, në vend që të identifikoheshin si COVID-19.
Studimi nuk ndalet vetëm tek shifrat, por evidenton edhe pabarazitë sociale. Sistemi amerikan i regjistrimit të vdekjeve duket se ka dështuar në mënyrë selektive.
Vdekjet e “pa njohura” nga COVID-19 godasin më shumë grupet më të brishta të popullsisë. Midis pakicave etnike, komunitetet hispanike, afro-amerikane dhe vendase amerikane kanë pasur më shumë gjasa që vdekjet e tyre të mos regjistroheshin si COVID-19.
Edhe niveli i arsimimit ka rëndësi: ata që nuk kanë përfunduar shkollën e mesme kanë pasur shkallën më të lartë të “padukshmërisë”. Për më tepër, qarqet me të ardhura të ulëta, kryesisht në jug të SHBA-së, tregojnë diferencat më të mëdha midis të dhënave reale dhe atyre zyrtare. Në Alabama, për shembull, inteligjenca artificiale vlerëson se numri real i viktimave nga COVID-19 është 67% më i lartë se ai i raportuar.
Autorët e studimit shpjegojnë se nënvlerësimi ka shkaqe të shumta dhe sistemike. Nuk bëhet fjalë vetëm për mungesë testimesh, por për një kombinim faktorësh: stigma sociale ndaj COVID-19, mungesa e fondeve për zyrat mjeko-ligjore dhe, në disa raste, ndikime politike në menaxhimin e të dhënave shëndetësore.
“Rezultatet sugjerojnë se sistemi i hetimit të vdekjeve në SHBA ka fshehur përmasën reale të pabarazive të pandemisë”, shkruhet në studim. Faktorët strukturorë kanë ndikuar madje edhe në mënyrën se si regjistrohen njerëzit pas vdekjes.
Qasja e bazuar në machine learning e përdorur për COVID-19 mund të shërbejë si model për të analizuar edhe kriza të tjera shëndetësore, ku shkaqet reale të vdekjeve shpesh maskohen nga sëmundje të tjera ekzistuese.
Identifikimi i saktë i çdo vdekjeje nga COVID-19 është i domosdoshëm jo vetëm për të vërtetën historike, por edhe për të përgatitur më mirë sistemet shëndetësore ndaj sfidave të ardhshme.
