Last Updated on 21/03/2026 by Monika
Rrugëtimi i Safet Kryemadhit është një histori që ndërthur emigracionin, identitetin dhe përkushtimin ndaj kulturës shqiptare. I lindur në Bruksel, në një familje me histori të fortë politike dhe sakrifice, ai është rritur mes dy botëve: kujtesës së një Shqipërie të lënë pas dhe realitetit evropian ku ndërtoi jetën dhe karrierën e tij.
I formuar në shkencat politike dhe i angazhuar prej vitesh në administratën e kryeqytetit belg, Kryemadhi ka arritur të krijojë një profil të veçantë si këshilltar dhe autor fjalimesh, duke qenë njëkohësisht një zë aktiv në promovimin e kulturës shqiptare në hapësirën frankofone. Përmes shkrimeve dhe librave të tij, ai ka hapur një dritare për lexuesit evropianë drejt historisë, traditave dhe shpirtit shqiptar.
Në këtë intervistë, ai ndan kujtime personale, sfida profesionale dhe reflektime mbi rolin e diasporës, duke sjellë një dëshmi të gjallë mbi atë çfarë do të thotë të jesh shqiptar mes dy kulturave.
Faleminderit që pranuat ftesën time për intervistë. Sa për t’ju prezantuar për ata që nuk ju njohin, mund të na tregoni pak për veten dhe rrugëtimin tuaj në jetë?
Une jam lindur në Bruksel. Im atë, Bajram Kryemadhi, është ndër të parët azilantë politikë në Belgjikë. Ai është arratisur nga Shqipëria në 1953, drejt Jugosllavisë nga zona e Rrajcës. Familja jetonte në fshatin Lepush (sot Shqiponja), Stravaj të Librazhdit. Nga kampi i Gerovës në Jugosllavi (sot në Kroaci) ai ka ardhur me tren në Belgjikë në gusht 1956 bashkë me 400 bashkatdhetarë, me iniciativën e Komisariatit të OKB-së për refugjatët. Pas largimit të tim eti, e gjithë familja u internua (në Gradisht – Lushnjë). Nënë ime, Maria, vinte nga Palo del Colle të Puglia (Itali).Do të shtoj një anekdotë që më ka befasuar kur xhaxhai më tregoj mbas viteve ’90. Kur e pyeta se kush i kishte shkruar dy letrat në italisht me kaligrafi të bukur nga kampi për babanë këtu në Bruksel, duke u kujtuar që në këtë kohë korrespondenca ishte shumë e rrallë, ai mu përgjigj se letrat vijnë nga dora e të madhit Mikel Koliqi (vëllaj i Ernest Koliqit) se ishte bashkë në internim, që u emërua Kardinal në 1994.
Shqiptarëve të viteve para ’90 kishin një nostalgji të pa përshkruar për atdheun dhe familjen që kishin lënë mbrapa dhe përndjekjen e tyre nga regjimi komunist. Të gjithë ne u rritëm me dëshirë që të kthehemi një ditë në Shqipërinë e lirë si në tokën e premtuar.
Çfarë ju ka motivuar më shumë në karrierën tuaj dhe cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur gjatë rrugës suaj profesionale?
Unë vetë jam shkolluar nga fillore deri universitet (në shkenca politike) në Bruksel. Por, si biri emigrant rruga nuk ka qenë aq e lehtë sidomos nga emri me origjinë të panjohur atë kohë (dhe jo si sot). Fat imi është se unë mbizotëroj shumë mirë frëngjisht dhe me këtë disa porta u hapën për mua.
Çdo njeri ka ngritjet dhe uljet e veta. Cili ka qenë momenti kulminant në jetën tuaj, kur jeni ndjerë më i plotësuar, dhe cili ka qenë një moment i vështirë apo i trishtuar?
Diplomimi në universitet që bëri jashtëzakonisht krenar prindërit e mi. Por origjina ime në shumë raste më nxirrte të dytin dhe jo të parin kur kishte kandidatura për vende pune. Për ironi, më kujtohet një rast kur gazeta belge më e rëndësishme “Le Soir” kërkonte një redaktor dhe ai që fitoi, një belg, rastësisht punonte në të njëjtin vend pune (një qendër e kulturës qytetare) me mua dhe ndërkohë unë redaktoja çdo shkrim të atij.
Pastaj, fatmirësisht dhe me rekomandim kam punuar si këshilltar prej një senatoreje në Senatin belg. Kam qenë profesor i ftuar pranë një shkolle të lartë për historinë e qyteteve. Tani jam pena për kryetarin e bashkisë Brukselit.
Kur shkruani apo mendoni për projektet tuaja, a mendoni fillimisht në shqip apo drejtpërdrejt në gjuhën frënge?
Në frëngjisht.
Çfarë ju frymëzon më shumë në punën dhe shkrimet tuaja?
Unë s’jam shkrimtar me profesion. Por shkruaj për dëshirë kur kam kohët e lira. Deri tani tematika kryesore është Shqipëria.
Cilat janë temat kryesore që ju kanë inspiruar të shkruani librat tuaj?
Të transmetoj kulturën shqiptare prej lexuesve frankofonë si përralla, udhëtime, Faik Konica, Ali Pasha…
A ka ndonjë libër ose tregim tuaj që e konsideroni më të rëndësishmin ose më personalin?
I pari: “Ballades littéraires en Albanie” (Shëtitje letrare në Shqipëri).
Çdo shkrimtar ka një libër që e mban si të pazëvendësueshëm, ju kë keni?
Një shprehje në frëngjisht thotë: “Méfiez-vous de l’homme d’un seul livre”. E përshtatur në shqip do të thotë: «Kujdes nga një njeri që ka lexuar vetëm një libër». Kam lexuar mijëra libra dhe në çdo libër kam marrë diçka. E kam si zakon të lexoj libra nga autorët me të cilët nuk e ndaj të njëjtën ide. Është një ushtrim që më shërben për të arsyetuar. Në përgjithësi po lexoj gjeopolitikë, publicistikë, filozofi, biografi, romane.
Si zgjidhni historitë ose legjendat që do t’i përcillni tek lexuesit tuaj dhe çfarë ju lidh me legjendat, meqë një nga librat tuaj sjell legjendat e shqiponjave për një publik frankofon?
Fillimisht, qëllimi im ka qenë të transmetoj trashëgiminë kulturore shqiptare tek vajzat e mia. Pastaj dëshiroja të hapja një dritare mbi kulturën shqiptare për publikun frankofon.
Si i presin librat tuaj frankofonët?
Shumë mirë, dhe përdoren si referenca në disa bibliografi. Sa për anekdotë, një herë mora një letër nga një lexues nga Zvicra kur më kërkonte me shumë entuziazëm një dedikim.
Cili është autori ose libri që ju ka frymëzuar më shumë në jetën dhe punën tuaj si shkrimtar?
Ka shumë dhe s’dua të bëj një “name dropping” pa fund. Por Ismail Kadare ka një vend të veçantë në jetën time. Librin e parë që kam lexuar nga Kadare është “Dimri i vetmisë së madhe” në moshën 15 vjeç.
Cila është puna që po merreni tani në administratë? Na flisni pak si e nisni ditën dhe si e vijoni?
Prej 17 vitesh po punoj në bashkinë e Brukselit. Në fillim si këshilltar dhe këto 8 vite të fundit, si “speech writer” ose pena e kryetarit të bashkisë.
Si e ruani lidhjen me kulturën dhe traditat shqiptare duke jetuar jashtë vendit?
Në radhë të parë duke folur gjuhën shqipe në familje sidomos me gruan, Anida, që vjen nga Shqipëria, duke udhëtuar 2-3 herë në vit në atdhe dhe duke marrë pjesë në çdo aktivitet shqiptar në Belgjikë.
Çfarë roli mendoni se ka diaspora shqiptare në promovimin e kulturës sonë në Evropë dhe si e shihni rolin e saj në përfaqësimin e vendit në Evropë?
Çdo shqiptar përfaqëson Shqipërinë me personalitetin e vet. Diaspora në Belgjikë është shumë e përhapur (rreth 100.000) dhe vepron në çdo sektor (ekonomik, kulturor, politik) ku përpiqet të krijojë një imazh pozitiv për popullsinë. Këtë e dëshmon numri i turistëve belgë që vizitojnë Shqipërinë dhe kthehen me shumë mbresa të bukura.
Cilat janë disa nga projektet apo aktivitetet që ju kanë bërë më krenar?
Organizimin në Senatin belg viti 2006, me mikun tim Kolë Gjeloshaj-Hysaj, një seancë akademike për 50-vjetorin e ardhjes të azilantëve të parë shqiptarë në Belgjikë, ku kanë qenë të pranishëm presidentja e senatit, ambasadori i Shqipërisë Artur Kuko, profesorët Albert Doja dhe Artan Fuga, disa përfaqësues të diasporës së vjetër si dhe shumë personalitete belge.
Ishte hera e parë në arenën ndërkombëtare që një senat nderonte diasporën shqiptare, sidomos këta emigrantë nga vitet ’50 dhe ’60, të cilët shkrimtari Nasho Jorgaqi i quajti ‘Mërgata e qyqeve’ në kohën e komunizmit.
Një gjë tjetër që më shton kënaqësinë është vlerësimi që më ka bërë i madhi Kadare në librin e tij “Mbi krimet në Ballkan” për një artikull që kam botuar në gazetën franceze “Le Monde” në mbrojtje të Kosovës kundër akuzave të raportit të Dick Marty.
Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe atyre që duan të ndërtojnë një karrierë jashtë vendit?
Një arsimim të mirë, të ruajnë gjuhën dhe traditën e tyre, duke u integruar më së miri në vendin ku jetojnë.
Brukseli shpesh shihet si qendra e vendimeve të Bashkimit Evropian. A është Shqipëria gati të bëhet pjesë e BE-së sipas jush?
A është Brukseli gati për të pranuar Shqipërinë dhe vendet ballkanase në BE-së?
Si e shihni të ardhmen e bashkëpunimit kulturor mes shqiptarëve dhe vendeve evropiane?
Unë jam optimist për zhvillimin e bashkëpunimit kulturor të cilët fillojnë me krenari për kulturën e tyre.
Intervistoi Fernada Cenko
