Banka Kombëtare Tregtare (BKT) dhe IdentiTek kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për të prezantuar një shërbim të ri dixhital, i cili do t’u mundësojë klientëve të BKT-së të blejnë dhe të paguajnë për E-Kuponët e IdentiTek direkt përmes aplikacionit BKT Smart.
Përmes shërbimit të ri “IdentiTek E-Coupon”, klientët do të kenë mundësi të zgjedhin llojin e kuponit që u nevojitet, të kryejnë pagesën direkt nga llogaria e tyre bankare dhe të marrin E-Kuponin në mënyrë elektronike, duke përfunduar të gjithë procesin lehtësisht, shpejt dhe në mënyrë të sigurt përmes telefonit celular.
Shërbimi do të përfshijë E-Kuponët për aplikime të ndryshme për dokumente identifikimi, duke përfshirë kartat e identitetit, pasaportat dhe lejet e qëndrimit, në përputhje me kategoritë e ofruara nga IdentiTek.
Ky bashkëpunim synon të thjeshtojë një proces të përditshëm për qytetarët, duke reduktuar nevojën për t’u paraqitur fizikisht në pika pagesash vetëm për të blerë një kupon. Përmes BKT Smart, pagesat mund të kryhen në çdo kohë dhe nga çdo vend, duke ofruar një lehtësi të veçantë edhe për klientët që ndodhen jashtë Shqipërisë.
Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor Ekzekutiv dhe Anëtar i Bordit të BKT-së, u shpreh:
“Vizioni ynë është të vijojmë ta zhvillojmë BKT Smart si një super-aplikacion, ku klientët mund të aksesojnë, në një vend të vetëm, jo vetëm shërbimet bankare, por edhe një numër gjithnjë e më të madh shërbimesh që u nevojiten në jetën e përditshme. Bashkëpunimi me IdentiTek përfaqëson një tjetër hap konkret në këtë drejtim. Synimi ynë është që proceset që tradicionalisht kanë kërkuar kohë dhe prani fizike t’i sjellim gjithnjë e më pranë klientëve tanë, duke i bërë ato të thjeshta, të shpejta dhe të sigurta.”
Znj. Silda Anagnosti Çepe, Administratore e IdentiTek, u shpreh:
“IdentiTek po ndërton një ekosistem shërbimesh gjithnjë e më të thjeshta, të aksesueshme dhe të fokusuara te nevojat e qytetarëve, duke zgjeruar vazhdimisht zgjidhjet dixhitale dhe partneritetet strategjike që e bëjnë ndërveprimin me shërbimet tona më të lehtë dhe më të sigurt. Integrimi i pagesave të E-Kuponëve në BKT Smart është një tjetër hap konkret në këtë drejtim.”
Me prezantimin e këtij shërbimi, BKT bëhet banka e parë në Shqipëri që mundëson blerjen dhe pagesën e E-Kuponëve të IdentiTek direkt përmes një aplikacioni bankar, duke zgjeruar më tej numrin e shërbimeve të disponueshme përmes BKT Smart.
Ky bashkëpunim pasqyron angazhimin e përbashkët të BKT-së dhe IdentiTek për avancimin e shërbimeve dixhitale, përmirësimin e përvojës së qytetarëve dhe ofrimin e zgjidhjeve më të shpejta, më të aksesueshme dhe më efikase.
