Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra pas rreth 18 muajsh në këtë post, duke u bërë figura më e fundit e lartë ushtarake që largohet nga administrata e presidentit Donald Trump.
Largimi i Driscoll u konfirmua nga CBS, partneri mediatik amerikan i BBC-së, i cili raportoi se dorëheqja erdhi pas muajsh tensionesh dhe përplasjesh mes tij dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Megjithatë, detajet e konfliktit mes dy zyrtarëve nuk janë bërë ende të ditura.
Shtëpia e Bardhë e vlerësoi punën e Driscoll, duke e cilësuar atë si një drejtues “shumë efektiv” në avancimin e agjendës së Trump për forcimin e ushtrisë amerikane. Në një deklaratë të dhënë për CBS, administrata tha gjithashtu se Driscoll kishte ofruar “udhëheqje të jashtëzakonshme” gjatë operacioneve ushtarake.
Driscoll, 41 vjeç, është sekretari më i ri në historinë e Ushtrisë amerikane dhe gjatë kohës në detyrë u bë i njohur me nofkën e lidhur me presidentin Trump, “njeriu i dronëve”, për shkak të mbështetjes së tij të fortë ndaj teknologjive të reja të përdorura në fushëbetejë.
Dorëheqja e tij vjen në një periudhë ndryshimesh të rëndësishme në drejtimin e Pentagonit. Driscoll është një nga disa drejtues të lartë ushtarakë që janë larguar së fundmi nga detyra. Mes tyre është edhe sekretari i Marinës, John Phelan, i cili dha dorëheqjen papritur në muajin prill. Gjithashtu, nga postet e tyre janë larguar shefi i Shtabit të Ushtrisë, Randy George, gjenerali i Ushtrisë David Hodne dhe gjeneralmajori Uilliam Green.
Që prej marrjes së drejtimit të Pentagonit, Pete Hegseth ka shkarkuar më shumë se një duzinë oficerësh të lartë të ushtrisë amerikane. Mes tyre kanë qenë edhe drejtuesi i operacioneve të Marinës dhe zëvendësshefi i Shtabit të Forcave Ajrore.
Sipas CBS, një faktor që mund të ketë ndikuar në përplasjen mes Driscoll dhe Hegseth është marrëdhënia e afërt e sekretarit të Ushtrisë me Randy George. Driscoll dhe George raportohet se kanë qenë miq të mirë, ndërsa George thuhet se ishte një prej zyrtarëve të cilëve Hegseth u kishte kërkuar të jepnin dorëheqjen.
Sekretari i Ushtrisë është zyrtari më i lartë civil në drejtimin e Ushtrisë amerikane. Ai mbikëqyr forcat aktive të ushtrisë, si dhe Gardën Kombëtare dhe trupat rezervë. Dan Driscoll kishte shërbyer më herët edhe vetë në Ushtrinë amerikane. Ai u bë oficer në vitin 2007, ndërsa më vonë drejtoi një togë kalorësie dhe u dërgua në Irak për disa muaj në vitin 2009.
Gjatë drejtimit të Ushtrisë, Driscoll u shqua për interesin e tij ndaj teknologjive të avancuara ushtarake, veçanërisht dronëve dhe sistemeve të tjera të reja të luftimit. Kjo qasje i dha edhe nofkën “njeriu i dronëve” të Trumpit./k.m
